Trajneri i kombëtares së Norvegjisë, Lars Lagerbak, pas fitores së arritur mbrëmë në “Elbasan Arena”, ka ironizuar trajernin e kuqezinjve Kristian Panuçin
Paraditen e sotme përpara nisjes për në Norvegji, Lagerbak foli për mënyrën se si Panuçi përpiqej që të orientonte ekipin në fushë duke qëndruar gjatë gjithë 90 minutave në këmbë edhe pse binte shi.
Sipas Lars Lagerbak, një trajner që arrin t’i përgatisë mirë gjërat në seancat stërvitore, nuk ka nevojë që të rrijë në këmbë, me apo pa shi.
“Nuk e di pse Panuçi qëndroi aty në shi. Ndoshta ai kishte nevojë të qetësohej, meqë nuk po luanin edhe aq mirë. Shumë trajnerëve u pëlqen që të qëndrojnë aty, nuk e di pse.
Dua të them se trajnerët e bëjnë 90% të punës para ndeshjes, sa i përket organizimit të skuadrës.
Kur fillon ndeshja, është e vështirë të komunikosh me ekipin. Unë dola nga fundi i ndeshjes vetëm sepse dëshiroja që ekipi të luante më shumë në mbrojtje të rezultatit.
Por edhe këtë mund ta mësosh gjatë stërvitjeve. Nuk duhet të jesh shumë ofensiv në fushë dhe të mbash më shumë topin, nuk duhet t’ia dhurosh kundërshtarit”, u shpreh Lagerbak. (TemA)