Trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, ka folur sërish sot në një konferencë për shtyp, ku ka bërë përmbledhjen e ditëve të grumbullimit të kuqezinjve si dhe paraqitjen zhgënjyese ndaj Norvegjisë.
Trajneri italian theksoi se ka bërë shumë eksperimente për faktin se ishte një sfidë miqësore, ndërsa shtoi se ka mësuar më tepër se nga fitorja kundër Turqisë.
“E dinim që ishte një miqësore, kemi bërë eksperimente, kishte shumë lojtarë të rinj, mendoj që tani deri në qershor do të kuptoj nëse ndonjë i ri mund të bëhet pjesë e Kombëtare. Më mësoi më shumë kjo humbje sesa fitorja në Turqi, kuptova se si janë disa gjëra. Nuk më pëlqen të fitoj, shpresoj të jenë edhe lojtarët njëlloj si unë, që nuk fle pasi humb. Më mësoi shumë kjo ndeshje.
Do të vazhdojmë të luajmë futboll. Ishim superior në mbajtje topi dje por ka pak vlerë, ishin më skuadër, në praktikë. Kam ide dhe nuk kthehem mbrapa. Mund të luajmë 4-3-3, do të shohim në vazhdim idetë. E dinim rrezikun, po të ishte një eliminatore, nuk do të luanim kurrë kështu. Jo se nuk mund të luajmë kështu. Nuk dua të kërkoj justifikime. Fajin e marr përsipër unë. Por kur Ajeti, Mavraj dhe Sadiku nuk luajnë, Roshi sapo ka filluar. Unë mendova që të mbuloja më shumë dyshen e qendrës”, tha Panuçi.
Në vijim ai foli dhe për përplasjet me Kosovën si dhe për miqësoret e qershorit.
“Nuk më takon t’u përgjigjem për këtë, di të them që kemi qenë në të njëjtin restorant ku kanë darkuar edhe ata me Zhegrovën. Nuk di nëse e kanë paguar ata faturën, por unë po. Nuk kam asgjë kundër Kosovës, kurrsesi. Secili bën të tijën, respekt maksimal. Ne jemi munduar të afronim një lojtar që na kishte thënë po, tani i uroj fat.
Kemi dy ndeshje, do të grumbullohemi 8 ditë. Mendoj se lojtarët janë në fund të sezonit, por Kombëtarja është detyrim. Kush nuk ka qejf, të vijë ta thotë po nuk besoj se do të ndodhë, mendoj se të vish në kombëtare është maksimumi i krenarisë“, u shpreh Panuçi. (TemA)
Nuk me pelqen te fitoj hahahaha