DOSSIER: Dëshmi të lashta të poezisë në Shqipëri

28 Mars 2018, 14:35Dossier TEMA

Moikom Zeqo

Herodoti thekson se pellazgët, të cilët ishin parahelenikë e kishin një gjuhë “barbare”, nderonin tempullin e Zeusit pellazgjik në Dodonë. Homeri te eposi i “Iliadës” (kënga XVI, vargjet 234-235) këndon pikërisht për Zeusin e Dodonës pellazgjike. Dihet se orakujt në Dodonë shqiptoheshin në formë poetike, në vargje. Gjuha patjetër ka qenë e lidhur me ilirishten, por kjo trashëgimi e stërmotshme poetike e orakujve dodonas nuk është ruajtur.

Siç shprehet arkeologu s. Dekaris, që ka studiuar Dodonën, “rituali në orakullin e Dodonës nuk ka asnjë paralele me ritualin e religjionit grek”. Kjo tregon një veçanësi dhe origjinalitet të karakterit etnik e kulturor.

Dijetari i shekullit II të erës sonë, Pauzania, dëshmon për një epigramë prej tri vargjesh kushtuar Kleostenit nga Epidamni ilir, i cili ishte shpallur kampion olimpik në Olimpiadën e 66 (viti 516 para erës sonë), për një mbishkrim prej katër vargjesh në një monument të bërë nga banorët e Apollonisë së Ilirisë (monumenti qe vendosur në Olimp të Greqisë) të shekullit V para erës sonë, si dhe për dy mbishkrime të tjera poetike që lidhen me emrin e Pirros së Epirit (318-272 para erës sonë).

Poezia tek ilirët e vjetër natyrisht ka qenë me karakter ritual, në funksion të ritit pagan. Dijetari anglez N.G.L. Hamond, duke studiuar poemat homerike dhe ritin ilir të varrimit, kërkon të shpjegojë origjinën e epikës së lashtë. Hamondi vë në dukje se “varrimi me tuma ka qenë i përbashkët si për pre-ilirët dhe për pre-grekët.

Do të vemë në dukje këtu një pikë interesante. Varrimi me tuma ka pushuar në Greqinë mikene, madje dhe në Kalafoni përpara vitit 1400 para erës sonë. Megjithatë, kur Akili nderon Patroklin në “Iliadë”, ai përdor metodën e varrimit me tuma që në atë kohë përdorej vetëm në Shqipëri.

Me sa duket këtu Homeri na zbulon origjinë e praktikës heroike dhe, ka të ngjarë shumë, origjinën e epikës gojore. Data dramatike e poemës, “Iliadës”, ka qenë 200 vjet mbas mbarimit të varrimit me tuma në Greqinë mikene dhe vetë Homeri ka jetuar 600 ose 700 vjet mbas kësaj kohe.

Po ai ka shkuar me përpikmëri drejt veriperëndimit për origjinën e Akilit, për varrimin me tuma dhe për praktikat heroike. Mbasi Shqipëria ka qenë dhe është atdheu i heronjve”. (Shih kumtesën e Hamondit te “Kuvendit I i studimeve ilire”, vëllimi I, faqe 160-161).

Kohët e fundit kemi mundur të gjejmë fakte e dëshmi të reja të poezisë së kultivuar në viset ilire. Në librin “Romische villen in Panonien” (“Qytetet romake në Pannoni”) botuar nga B. Thomas, faqe 271-273, botohet teksti i një kushtimi poetik në latinisht për një ilir të ditur me emrin Valer Dalmati. Ky kushtim është incizuar me skalitje mbi një pllakë bronzi 565 m e 350 mm e përbëhet nga 8 distiktë të rregullt e ritmikë, në hekzametër.

Këtë mbishkrim poetik me rëndësi e ka botuar Teodor Momseni, i cili tërheq vëmendjen kur thotë se i përket si kohë fundit të shekullit IV e fillimit të shekullit V të erës sonë. pllaka prej bakri ka qenë e dispozuar për t’u vendosur në një bust të Valer Dalmatit, brenda në atriumin e vilës së tij në Panoni (në Hungarinë e sotme), midis qyteteve Mursa e Sopiane. Momseni thekson se Valer Dalmati qe nga fisi ilire i panonëve.

Një dijetar tjetër, Alfeldi (“Untergang der Romer herrschaft in Pannonien”, Berlin-Laipzig, 1926) mendon se poezia e kushtuar Valer Dalmatit i takon viteve 387-394, pra shekullit IV të erës sonë.

Kjo poezi, sipas stilit panegjerik të kohës, i është kushtuar Valer Dalmatit nga banorët e provincës së Logdunencis (Lionit, në Francë), për të mirat që u ka bërë ky i fundit. Ja poezia në fjalë e përkthyer:

Fryma e drejtësisë e futur në ligjet e respektimi i tyre

për Valer Dalmatin që vetë ligj e parim i diktuar nga besimi i drejtë.

Ai zotëronte dymbëdhjetë shkrimet e që thelluar në detyrat e pretorit

si dhe në vendimet e të diturve të shenjtë.

Ky ishte interpretues dhe zbatues i ligjeve,

 i njihte mirë dhe i zbatonte po aq mirë.

Për meritat e shumta o qeveritar shumë i drejtë Valer,

për të mirat e pafund të është ngritur kjo përmendore,

të cilën e vendosëm duke dëshmuar dëshirat e të gjithëve,

shëmbëlltyrë që e dërgojmë deri larg në atdheun tënd panon.

Që këtej respektojmë ofiqin suprem të prefekturës

e të ndjekim ty gjithë gëzim e kënaqësi me këtë ogur.

Secili që do të dijë se me ç’dashuri je largësuar

le ta ketë këtë dëshmi nga epitafi i këtij monumenti,

që i ngriti Valereit provinca e Lionit,

që ia kushtoi mbrojtësit të vet me mirënjohje.

Nga ky tekst mësojmë se Valer Dalmati ka pasur edhe kulturë juridike e se ka bërë dymbëdhjetë shkrime (ligje). Pra kushtimi poetik dhe ngritja e monumentit s’ka qenë e rastësishme për këtë figurë të botës ilire.

Monumente mbivarrorë me mbishkrime poetike janë gjetur edhe në Durrës, Apolloni, Ballsh e gjetkë.

Kështu, Prashniker, në librin “Muzakhia und Malakastra”, Wien, 1920, në faqen 194, figura 110, na jep tekstin e një mbishkrimi poetik prej 5 vargjesh kushtuar një figure të shekullit VI të erës sonë me emër Viktorian, i cili ka bërë ndërtime në Ballsh të Shqipërisë e ka qenë njeri i afërt i perandorit Justinian të Bizantit (ky perandor ka qenë me origjinë ilire). Në mbishkrim thuhet:

Nuk do të lihet në rrugët e harresës

 emri i shkëlqyer i Justinianit

edhe kur koha e gjatë dhe e panumërueshmja duke u moshuar

 do të mbulojë dhimbjet e Viktorit

e të sjelljeve të tij të ndritura.

Në fakt, me emrin e Viktorinit lidhen jo një, por tri mbishkrime poetike që janë bërë të njohura nga arkeologët. Viktorini ka pasur një funksion të lartë që lidhej me ndërtimet e kohës, të cilat nën sundimin e Justinianit kanë qenë të shumta.

Prashnikeri përmend edhe një poezi tjetër në latinisht prej 14 vargjesh në një monument të një Robert i Monte Fortit, vdekur më 20 shtator 1108 në Shqipëri, i cili ka qenë kalorës kryqtar i ardhur nga Anglia.

Fakti i kësaj poezie në latinisht në një mjedis mesjetar shqiptar flet për atë se në vendin tonë në shekullin XII poezitë në vargje latine njiheshin e lexoheshin, natyrisht nga një pakicë, kryesisht klerikë të kulturuar të kohës.

Karl Paçi në librin “Das sandschak Berat in Albanien”, Wien 1904, faqe 50 na jep dhe dy vargje të skalitura në një monument brenda manastirit të Zvërnecit në Vlorë. Vargjet janë:

Këtu shtrihet Kantos Karanxhas, burrë mjekrosh

me prejardhje (rrënjë) fisnike, llastar fisnik.

Nuk mund të themi gjë të saktë për njeriun të cilit i kushtohet ky distikt. Vëmë në dukje se Ana Komnena përmend një dukë me emrin Argyr Karanxha, i cili në shekullin XI qe dërguar nga Konstandinopoja në qytetin e rëndësishëm të Durrësit, ku u shqua dhe mbeti në të. Mendojmë se Kantos Karanxha do të ketë lidhje fisnore me personin e mësipërm që na kumton Ana Komnena.

Tani disa përfundime: Siç e pamë, gjatë shekujve në vendin tonë ka dëshmi që vërtetojnë se poezia ka qenë e kultivuar e pa dyshim që kjo poezi ka pasur edhe një farë publiku të vetin të kohës. Është e vërtetë që këto poezi apo epigrame të karakterit kushtimor ose funerar kanë qenë bërë në gjuhë të huaja kulture si greqishtja e latinishtja – dukuri kjo e vërtetuar edhe te popuj të tjerë të Evropës, të cilët i kanë përdorur këto gjuhë thjesht si gjuhë kulture e që nuk mohon aspak karakterin e tyre etnik e të kulturës së tyre kombëtare – e se për ne ka rëndësi që poezia e kultivuar lidhet, me ndonjë përjashtim, me mjedisin e figurat ilire e shqiptare, se ata s’kanë munguar ta shpallin me krenari e tendencë identitetin e tyre, si p.sh., poeti ilir Medaur Lucen Tarkuat Basianal.

Nga ana tjetër, këto dëshmi poetike kanë edhe vlerë historike e dëshmojnë për lidhjet me kulturat e popujve fqinjë e për njohjen e këtyre kulturave nga të parët tanë, të cilët ditën të krijonin e të bënin që të mbijetonte kultura iliro-shqiptare në shekuj.(dita)

5 komente në “DOSSIER: Dëshmi të lashta të poezisë në Shqipëri”

  1. Ana says:

    Me gjithe njohjet ne kulture z.Zeqo eshte i ngaterruar edhe pse mbishkrimet nuk kane asnje lidhje me ekzistencen ilire ,qe me shume u perdor si mjet artificial nga sistemi I kaluar per te ndihmuar shqiptaret ne identitetin e tyre.Historia e lashtesise eshte shkence me vete qe nuk niset me ngjashmerira ne kete east shqiptare….Vet emeritus I authority ngre pyetjen ne se ai eshte apo jo shqiptar ne baze te theorize qe ai parashtron…

    1. undefined says:

      Kush ta tha ty qe keto mbishkrime nuk paskan lidhje me kulturen iliri apo perrallat me lesh qe tregojn europianet ketu e 200 vjet per interesat e tyre politike gjeostratigjike te formuluara nga disa romantike qe vetem me historin apo gjuhesine nuk kishin as me te voglen njohuri

      1. Flm says:

        Ku e ka gjetur Ze-qiri, lidhjen e Pellazgeve (pelagos= det ne GR.) – Ilire-Albaneve te Kaukazit me Shqipetaret, nje Zot e di.
        Ky kari krahason fjale te sotme Shqipe me ato te 2.5 dhe 3 mije vite me pare te shkruara nga Omiros.
        Ato kryevepra Helene qe mesohen qe ne klasen e 5 fillore ne Greqi, ketu as nuk njifen, duken si kineze.
        Kulmi i Idjotesis.

  2. Alban Hamzai says:

    Ju lumte z.Moikom! Por besoj se e dini qe iliret jane cfaqur ne Ballkan rreth 1.000 vjet pas zhdukjes se pellazgeve . Kete e thone shkencetaret shqiptare,historiane e gjuhetare duke filluar nga Eqerem Cabej e deri tek ish kryetari I Akademise ,prof.M.Korkuti etj,etj. Sic shkruan E.Cabej per lidhjen pellazg -ilir,ishte nje ender e bukur e rilindasve per qellimet e tyre ,por si cdo ender kur hapem syte mori fund .Dhe shumica e historianeve te huaj (nga antikiteti e deri sot )kane arritur ne konkluzionin se iliret hyne e dolen nga historia pa I dhene asgje asaj. P.sh.Straboni shkruan se iliret as tregeti nuk benin pasi nuk dinin te numeronin . Edhe Teuta permendet thjesht si nje nga 10 grate pirate .pra benin pirateri ne det e vjedhje ne toke . Ju permendni nje fakt ,qe ska te beje me iliret dhe pastaj e tjerrni lemshin e konkludoni se iliret e benin ashtu.Kur ne te njejten kohe per iliret nuk eshte shkruar asgje ,pasi nuk kontribonin per asgje ne antikitet . Etj,et,.Ju lutem shume botoni komentin tim!

    1. topuzi says:

      Alban Hamzai-pellazget ishin nje popullsi primitive te cilet u transformuan ne nje popullsi me te avancuar qe u quajten ilire. Albanologet shqiptare dhe te huaj thone se kjo periudhe transformimi shkon ne 1000 vjet. Lexoji me mire shkrimet e tyre qe te sqarohesh.
      Nje nga elementet baze te cilen albanologet e perdorin si argument eshte gjuha shqipe, si vazhdimesi e gjuhes antike shqipe, apo sic e quajne ilirishtja qe flitej ne Gadishullin Ilirik qe sot quhet Ballkan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje