Elseid Hysaj është kthyer në një nga mbrojtësit më të kërkuar në merkato ku shumë klube të njohura kërkojnë që ta kenë pjesë të skuadrës së tyre.
Në drejtim të mbrojtësit të Kombëtares shqiptare ka një numër të madh të ekipeve angleze që kanë shfaqur interes për lojtarin që luan në Serinë A me ekipin e Napolit.
Rreth dy vite më parë, Napoli vendosi t’i vinte një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh në kontratë Elseid Hysajt, ku u mendua se do ishte e vështirë se do të kishte ndonjë klub që të shpenzonte kaq para për shkodranin.
Por, kjo shifër paguhet pa sforcime të mëdha, sidomos nga klubet angleze të cilat janë gati të sakrifikojnë për Hysajn.
Sipas mediave italiane, kjo është arsyeja se pse klubi i Napolit ka lëshuar sinjalet e para për rinovimin e marrëveshjes me futbollistin dhe përmirësimin e kushteve financiare të tij. Napoli synon që shifrën e klauzolës së largimit ta çojë në 80 milionë euro për të përfituar sa më shumë.