Skënderbeu, Daja: T’i sjellim Korçës dy trofe këtë sezon

3 Prill 2018, 15:11Sport TEMA

Skënderbeu reflektoi në fushë gjatë ndeshjes me Vllazninë në Shkodër se vendimi i UEFA-s ka lënë gjurmë te lojtarët. Trajneri Ilir Daja i kritikoi ashpër të tijtë pas asaj humbjeje, ndërsa për ndeshjen e nesërme me Flamurtarin ai shpreson që ekipi të rifitojë përqendrimin e duhur dhe të kalojë momentin e vështirë.

Daja ka pranuar se lojtarët janë njerëz dhe e ndjejnë situatën. Ai thekson se kjo situatë duhet të zgjasë sa më pak, që të mos e dëmtojë ekipin.  Ja çfarë tha trajneri i Skënderbeut në konferencën e shtypit para ndeshjes me vlonjatët:

“Sot është dita e fundit e përgatitjeve për ndeshjen me Flamurtarin. Nuk jemi në maksimumin e duhur në aspektin psikologjik, por kemi edhe mungesa dhe disa lojtarë në pikëpyetje, duke përmendur këtu Vangjelin, Omsnain dhe Radasin, por mbetet të shihet edhe seanca e pasdites, që të vendosim se kush do të luajë në ndeshjen e nesërme.

Ndeshje e vështirë, pasi duhet të jemi të kujdesshëm në të dyja faza e lojës, që të bëjmë të mundur realizimin e objektivit tjetër të klubit, marrjen e Kupës së Shqipërisë.

Osmani ka bërë një vizitë në Tiranë për gjurin, Vangjeli ka pasur probleme me shpinën dhe në Shkodër, ata që ishin në stadium, kanë parë që në nxemje ishin 12 lojtarë, ishte edhe Nimaga, ngaqë kishim lojtarë me probleme. Edhe Radasi ka probleme muskulore.

Pas ndeshjes me Vllazninë kam deklaruar se kam debatuar me tone të ashpra, sepse disa lojtarë nuk ishin mirë. Por lojtarët e mi janë njerëz dhe jo makina, nuk punojnë me butona që të ndryshojnë gjendjen psikologjike për 24 orë. Uroj të mos jetë e zgjatur kjo lloj situate, sepse do të na bënte dëm për gjithçka kemi bërë pastër, mirë dhe me kualitet në Europë dhe në kampionat.

Nuk ka çështje rrogash te Skënderbeu. Lojtarët që kanë qenë në mënyrë permanente te ky ekip e dinë mirë se çdo lojtar likuidohet deri në qindarkën e fundit. Mund të ketë ndonjë vonesë, por nuk ka çështje rrogash, është një situatë krejtësisht normale në këtë drejtim.

Pas një dënimi të tillë ekstrem, nuk është se jemi të qetë psikologjikisht, gjë që u reflektua ndaj Vllaznsië. Do të mundohemi ta kalojmë këtë gjendje, sepse çdo lajm i tillë kërkon kohë që të harrohet dhe të përqendrohemi te fusha.

Të gjithë bashkë duhet ta kalojmë këtë situatë. Duhet të reflektojmë që nesër, që ta hedhim pas shokun psikologjik. Te Skënderbeu merren lojtarë me CV të mirë dhe ata që nuk kanë pasur minutazh të caktuar, nesër duhet të tregojnë se janë në gjendje të bëjnë mirë.

Kupa është trofe i munguar dhe besoj se mund të rikthehemi në perfomancën që kemi pasur. T’i sjellim Korçës të dy trofetë këtë sezon, kampionatin dhe kupën.

Në fushë dukej një Skënderbe normal në Shkodër, por në momente të caktuara kishte probleme. Kur ka frustacion psikologjik, ngarkesa është e tillë, që humbet përqendrimin. Do të kërkoja nga lojtarët që të ripërqendrohen në kampionat dhe në kupë. Nesër duhet të reagojmë si pas humbjes në Gjirokastër. Ndeshja është e  rëndësishme në shumë aspekte. Kualifikimi vendoset pas ndeshjes së dytë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje