Julian Ahmataj ka filluar sot punën si trajneri i ri i Kamzës, duke lënë në mes sezonin me Burrelin për të marrë drejtimin e skuadrës e cila po kalon një krizë të mirëfilltë rezultatesh. Tekniku ka treguar se ka pranuar me kënaqësi ftesën dhe se është larguar me mirëkuptim nga skuadra e Kategorisë së Parë.
“Mirëkuptimi ka qene i dyanshëm, ata u vunë në pozitë, por nuk mund të më hiqnin mundësinë të ikja te Kamza. Unë edhe kam lënë ndihmësin derisa të mbyllet java, duke pritur trajnerin e ri, që të jetë me eksperiencë se atje ka pak ndeshje, kanë mbetur edhe 4 për ta. Bashkëpunimi do të jetë i vazhdueshëm se do të flas edhe me trajnerin e ri”, tha ai.
Ndërkohë, me Kamzën do të ketë detyrën që të ngrejë psikologjikisht ekipin pas një serie rezultatesh të dobëta që e kanë kthyer nga një skuadër pretendente për Europë, në një ekip që rrezikon seriozisht mbijetesën.
“Si lojtar e kam nisur në Elbasan, pastaj kam rrugëtuar në shumicën e klubeve shqiptare, rrugëtimi i tillë është i lodhshëm. Tani është një periudhë tjetër, trajningu është gjë tjetër. Përgjegjësia është me madhe, jam munduar që të mos ndalem në punë. Kam marr çantën dhe kam shkuar me punë kudo, edhe në kategori të ulëta. Me punën që kam bërë poshtë, mendoj që do të bëj një punë të mirë këtu. Unë garantoj që do të bëjë një punë të mirë”, vijoi Ahmataj.
“Pa diskutim, oshilacionet në lojën e futbollit janë të pranueshme, ka momente krize e çekuilibrimi në çdo skuadër. Kjo ka ardhur në moment delikat, që duhet punuar nga ana psikologjike, se po të shohësh grupin dhe ambientin, gjithçka është e mundshme për të bërë një gjë të mirë. Unë jam luftëtar dhe nuk kam frikë”, ishin fjalët e tij të para si trajneri i Kamzës.