Skënderbeu ia doli të dilte me 3 pikë në një ndeshje të vështirë si ajo me Partizanin.
Me disa mungesa të rëndësishme, korçarët dolën fitues falë golit të Bruno Ditës në kohën shtesë.
Ndeshja e radhës është me Kukësin dhe janë mundësitë që Skënderbeu të sigurojë titullin matematikisht. I duhet të fitojë, për të festuar me tifozët e tij.
Para kësaj ndeshjeje, trajneri Ilir Daja ka marrë lajme të mira. “Vipsport.al” mëson se sulmuesit e dëmtuar, Xhejms dhe Soue, do të jenë gati për ndeshjen me Kukësin, e programuar për t’u zhvilluar të dielën në mbrëmje.
Xhejms do të vazhdohet me grupin nesër, kur korçarët do të fillojnë përgatitjet për Kukësin. Po ashtu, edhe Soue do të stërvitet rregullisht ditët në vazhdim.
Dilema e vetme mbetet ajo e portës, nëse do të kthehet kapiteni Orges Shehi, apo jo. Në fakt, portieri veteran e ka kaluar dëmtimin, por stafi teknik dhe ai mjekësor nuk kanë dashur ta rrezikojnë në dy ndeshjet e fundit. Trajneri Daja do të vendosë në momentet e fundit.
Korçarët janë më të plotë në ndeshjen e radhës, ku rikthimet janë të rëndësishme dhe gjasat janë që çështja e titullit të mbyllet matematikisht që këtë javë.