Rrëfimi i Athanasopulos: Gjirokastra, ëndrra europiane dhe jeta si greku i parë në Superiore…

24 Prill 2018, 15:33Sport TEMA

Ka luajtur deri tani vetëm 5 ndeshje me fanellën e Luftëtarit, por Kristos Athanasopulos ka shkruar emrin e tij në historikun e futbollit shqiptar.

Portieri 36-vjeçar është lojtari i parë grek që luan në Kategorinë Superiore, një arritje e veçantë për të cilën ai, në një intervistë të dhënë për ‘gazzetta.gr’, ka pranuar me sinqeritet se nuk ia kishte aspak idenë derisa ia tregoi menaxheri i tij.

Athanasopulos ka treguar jetën e tij në Gjirokastër, rritjen e futbollit shqiptar dhe talenteve te Luftëtari, të ardhmen e tij si dhe ëndrrën për pjesëmarrjen në Ligën e Europës, gjatë një intervistë që nuk duhet humbur…

Si e gjetët veten te Luftëtari dhe si ju pritën në Gjirokastër?

-Ishte një surprizë e këndshme për mua. Vangjel Çavo, drejtori teknik i Luftëtarit, i cili njeh mirë futbollin grek, kontaktoi trajnerin e portierëve, Janis Zaloras dhe e pyeti për mua. Pastaj më kontaktoi mua dhe menaxherin tim, Stelios Bradeles. Ishte në sfidë për mua, në moshën time. Kam luajtur rreth 250 ndeshje në karrierën time në Ligën e Futbolli Grek, përfshirë edhe Kupën, por kurrë në Superligë, edhe pse shpesh kam qenë pranë firmës. Këtu, për një orë jam në shtëpinë time në Janinë. Presidenti i klubit me një rol aktiv në minoritetin grek është Grigor Tavo, i cili tregoi besim të madh te unë dhe më priti me ngrohtësi në grup.

Ka respekt dhe vlerësim për mua nga komuniteti lokal, që më ndihmoi të përshtatem me lehtësi. Ky është një qytet i qetë. Gjirokastra është një qytet piktoresk, një vend shumë i bukur me malin dhe kështjellën e tij. Sa herë që njerëzit më takojnë, më përshëndesin dhe më tregojë dashuri, vlerësim dhe respekt.

A e dinit kur firmosët se po bëheshit futbollisti i parë grek që luante në kampionatin shqiptar?

-Nuk e kisha idenë. Menaxheri ishte ai që më tregoi. Kjo është një sfidë për mua. Të them të vërtetën, as nuk e prisja që fakti se po firmosja në Shqipëri të binte në sy.

Si është klima brenda skuadrës?

-Ky është një grup me shumë të rinj, të gjithë me karakter të shkëlqyer. Një pjesë e madhe e tyre kanë eksperienca në Greqi dhe disa flasin greqisht gjithashtu. Për shembull Shkurtaj, Minga, Aurelio apo Demo. Edhe presidenti dhe drejtori teknik, siç e thashë, kanë lidhje me Greqinë ndërsa përgatitësi i portierëve, Jovan Mihajloviç, ka shumë eksperiencë në futbollin grek pasi ka punuar te AEK dhe Olimpiakos.

Cili është niveli i talenteve të futbollit shqiptar?

-Këtu ka lojtarë të cilët meritojnë diçka më shumë. Talentet shqiptare po bien në sy, diçka që ka filluar të bëhet më e qartë nga Kombëtarja që arriti kualifikimin në Euro 2016, ashtu si edhe fakti që gjithnjë e më shumë lojtarë po transferohen jashtë. Për shembull, pak ditë më parë, një nga futbollistët, Kristal Abazaj, firmosi për Anderlehtin.

Ju e keni provuar Ligën e Futbollit, por nuk arritët të luanit në Superligë. A ishte kjo një goditje e rëndë për ju?

-Nuk ishte goditje. A mendoja se ndoshta nuk e meritoja ngjitjen në elitë? Futbolli është fat, por edhe lidhje. Unë jam munduar që të bëj mirë punën time kudo ku kam luajtur. Këtu po përjetoj një eksperiencë tjetër, pasi nuk luaj për një skuadër që lufton për mbijetesën, por që për herë të parë në historinë e klubit, të marrim pjesë në Ligën e Europës. Kam pasur propozime, por skuadrat e mia kërkonin para që të më linin të lirë. Për shembull, kur isha 21 vjeç dhe luaja në Patraiko, Panionios më kërkoi. Në moshën 27-vjeçare, kur isha portier te Kalithea, më kërkoi Panthrakikos. Në moshën 32-vjeçare unë kalova nga Paneleikos te Psahna si portier i dytë dhe u bëra portieri më i mirë i kategorisë. Pastaj shkova te AEL, skuadra më e madhe me të cilën kam luajtur.

A e mendoni se mund të luani në Europa League me Luftëtarit?

-Nuk ka asnjë futbollist që nuk e dëshiron një pjesëmarrje në Europë, për të fituar një eksperiencë të tillë. Sidomos të rinjtë që kanë luajtur në nivele më të ulëta. Për ne ekziston kjo mundësi. Kanë mbetur shtatë ndeshje të cilat do t’i marrim me radhë.

A mendoni të qëndroni në këtë klub edhe pas verës?

-Ky grup është pranë realizimit të objektivit të pjesëmarrjes në Europë. Pastaj do të flasim në verë nëse do të rinovoj apo jo. Por më parë të shohim nëse do të shkojmë në Europë.

Si mund ta përshkruani nivelin e kampionatit shqiptar?

-Niveli i kampionatit shqiptar është më i mirë se Liga e Futbollit në Greqi. Ka skuadra të forta me histori në Europë si Skënderbeu, Kukësi dhe Flamurtari. Niveli është relativisht i lartë dhe stadiumet janë shumë të mira.

A do ta këshillonit një futbollist grek që të luante në Shqipëri?

-Duke u bazuar te ajo që shoh dhe jetoj, unë do t’u thosha që të mundohen të luajnë në Shqipëri. Sigurisht, nevojiten marrëveshjet e duhura dhe që obligimet e klubit të respektohen. Unë për vete mundohem në çdo stërvitje dhe bëj atë që është e mundur që të ndihmoj skuadrën të arrijë objektivat e saj.

A e mendoni tërheqjen në futbollin grek?

-Ka disa të rinj që janë edukuar me futbollin, por më e rëndësishmja është që mbështetin familjet e tyre. Unë kam qenë me fat pasi gjithmonë kam pasur pranë mamanë dhe motrën time që më kanë mbështetur. Ata më kanë dhënë shumë fuqi dhe falë tyre kam kaluar shumë gjëra në futboll. Objektivi im kur të tërhiqem është që të vazhdoj të merrem me futbollin si trajner portierësh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje