Kamza ka arritur të marrë një pikë të vlefshme në duelin direkt të mbijetesës, pasi barazoi me Teutën me rezultatin 3-3.
Një pikë që ka ngritur moralin e skuadrës së Ahmataj, që duhet të luftojë deri në javën e fundit të kampionatit për mbijetesën, pavarësisht rezultateve të mira që u morën nga ky ekip në fillimin e kampionatit. Në një prononcim për “Zona Gol”, trajneri i Kamzës ka falënderuar ish-trajnerin Ndreu për gjendjen e futbollistëve që i ka lënë në dispozicion.
“Në futboll nuk ka llogari, sidomos në këtë kampionat që nuk ka asgjë të sigurtë. Kështu mund të them se ndaj Lushnjes ishte takimi më i vështirë që ne kemi kaluar. Tashmë duhet të mendojmë për të marrë maksimumin në ndeshjen e radhës.
Kamza është ndërtuar mirë që në fillimin e sezonit nga ana e Presidentit apo edhe ish-trajnerit të këtij ekipi, Ramadan Ndreu. Ai ka zgjedhur lojtarët e duhur dhe ka stërvitur futbollistë të mirë që tashmë jam duke i stërvitur edhe unë. Në janar ky ekip pati disa rezultate negative që e çuan edhe në një ngërç psikologjik.
Tashmë që po e shoh ndeshjen kundër Teutës, pashë që disa lojtarë nuk i kanë bërë mirë detyrat e tyre. Kjo ngelet për t’u analizuar që këto episode të mos ndodhin e përsëriten. Nuk po e bëjmë këtë gjë për të vënë futbollistët përpara përgjegjësisë, por që të reflektojnë nga gabimet e kryera”, është shprehur Ahmataj.