Sebino Plaku është i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH.
Kapiteni i Kamzës është kthyer në protagonist kryesor edhe në këtë sezon, duke qenë vendimtar me golat e tij për ekipin e drejtuar tashmë nga trajneri Julian Ahmataj.
Si fillim, Plaku iu përgjigj pyetjeve në lidhje me largimin e tij nga Skënderbeu.
“Nuk dua të flas shumë për këtë temë, sepse kam kujtime shumë të mira nga Skënderbeu dhe dua të mbaj mend veç ato.
Por, di të them se historia ime është bërë e ditur në ambientin sportiv në vend.
Pas fjalëve që tha trajneri Daja për mua në verë dhe replikave që erdhën më pas, prisja nga drejtuesit e klubit që të tregoheshin më korrektë për t’i dhënë një drejtim kësaj situate. Këtë gjë nuk e bënë dhe unë kërkova të largohesha nga Skënderbeu.
Zgjodha Kamzën, sepse doja një ekip ku unë mund të luaja regullisht dhe të tregoja vlerat e mia përgjatë një sezoni të plotë”, tha sulmuesi Sebino Plaku.
NDESHJA NDAJ TEUTËS– “Ishte një ndeshje që duhet të tregonin forcën e karakterit tonë. Po luanim në transfertë kundër një rivali direkt, ishim në disavantazh të dy golave dhe arritëm të përmbysnim në 3-2 në favor tonë. As vetë nuk e prisja që do të bënim një gjë të tillë. Por kjo tregon forcën e skuadrës sonë”.
NDREU-AHMATAJ– “Trajneri Ramadan Ndreu ka meritën që ndërtoi skuadrën që në fillim të kampionatit dhe që arriti rezultate të larta në dy fazat e para. Investitorët e klubit, në momentin që ekipi nuk po merrte rezultatet pozitive, menduan që të bënin një ndërrim në stol, duke i dhënë më freski skuadrës. Kjo për faktin se të gjithë po habiteshim me faktin se ishin po të njëjtët lojtarë të dy fazave të para dhe ekipi nuk po ecte siç duhej. Pra duke ndërruar trajnerin, mendoj se drejtuesit e klubit kishin idenë se do të hiqnin presionin nga lojtarët. Rezultoi një lëvizje që solli ndryshim. Trajneri Ahmataj po mundohet të fusë filozofinë e tij të lojës dhe ne po përpiqemi që të përthithim këto ide”.
GOLI NDAJ SKËNDERBEUT- “Goli i shënuar ndaj Skënderbeut në Korçë më ka shijuar më tepër nga të gjithë në këtë sezon, sepse erdhi në minutën e 85-të, ishte gol vendimtar, por më mundësoi të nxirrja emocionet e akumuluara”.
TIRANA– “Për kë bëj tifo? Jam familje tiranase dhe bëj tifo për Tiranën, edhe pse kam luajtur pak te bardheblutë”.