Humbja me Kukësin duhet të harrohet sa më parë dhe ekipi duhet të përqendrohet që në dy takimet e radhës të bëjë të tijin titullin kampion që e priste i gjithë qyteti i Korçës.
Ky ka qenë mesazhi që ka dashur të japë para lojtarëve trajneri Ilir Daja, i cili ka qenë sot në stërvitje bashkë me futbollistët, duek mos bërë asnjë ditë pushim pas sfidës së lodhshme përballë verilindorëve.
Vetëm ata që luajtën nga minuta e parë ndeshjen me verilindorët nuk ishin në stërvitje, ndërsa zëvendësuesit dhe futbollistët e stolit zhvilluan një seancë të mirëfilltë stërvitore në aneksin e stadiumit, si sa i përket përgatitjes fizike, ashtu edhe asaj taktike, me ushtrime të ndryshme.
Korçarët kanë dy transferta radhazi në kampionat, ndaj Laçit dhe Lushnjës, ndeshje në të cilat mund të mbyllin me fitore diskutimet për titullin kampion për t’u kthyer për ta festuar arritjen e këtij objektivi para tifozerisë së tyre në duelin përballë Teutës.
Daja kërkon të shohë gjendjen e të gjithë futbollistëve në këto javë të mbetura, për t’i aktivizuar ata që kanë luajtur më pak në ndeshjet pasi të sigurohet titulli kampion, pasi të marrë vendimet bashkë me drejtuesit e klubit se kush do të vazhdojnë të jenë pjesë e Skënderbeut edhe në sezonin e ardhshëm e kush jo.