Flamurtari analizon humbjen me Luftë tarin. Trajneri Ardi Behari mblodhi dje ekipin, teksa zhvilloi edhe analizën e pasndeshjes. Ai u tërhoqi vëmendjen lojtarëve, pasi sipas tij kanë ende probleme me finalizimin e aksioneve. Behari ka thënë se nuk akuzon asnjë lojtar për humbjen, por sipas tij, përgjegjësia është e të gjithëve.
“Në ndeshjen me Luftëtarin humbëm, por edhe mund të fitonim nëse zbatonim siç duhet detyrat dhe ato që kemi bërë gjatë seancës stërvitore. Unë nuk akuzoj lojtarë të përveçëm për këtë ndeshje, por dua që të theksoj se të gjithë kanë përgjegjësi, nga porta deri në sulm.
Patët probleme me finalizimin e aksioneve dhe duhet që këtë javë të punojmë shumë në këtë fakt. Ju reaguat mirë pas rezultatit 2-0, por kjo nuk mjaftoi. Dua që për ndeshjen e radhës të rregullojmë ato mangësi që patëm”, u ka thënë dje fillimisht Behari lojtarëve.
VLLAZNIA – Behari kërkon fitoren me Vllazninë. Trajneri ka porositur lojtarët që në takimin me shkodranët të tregojnë karakter dhe lojë të shpejtë. “Dua maksimumin në ndeshjen me Vllazninë. Duhet të hyjmë në fushë me mentalitet fituesi. Duhet të jemi cinikë para portës. Kërkoj të bashkëpunoni me njëritjetrin”, ka thënë Behari para lojtarëve.
Duket se situata e Flamurtarit para ndeshjes me Vllazninë, ndryshe nga javët e fundit është më pozitive. Vlonjatët pritet që të kenë një ekip sa më të plotë në këtë ndeshje, me Beharin që ka luksin e përzgjedhjes. Trajneri u detyrua në Gjirokastër që të vendoste në majën e sulmit Nedjelkoviç, i cili në fakt është lojtar krahu.
RIKTHIMET – Një rikthim i rëndësishëm pritet të jetë Danilo Alvesh. Po ashtu, edhe Ardit Hoxhaj mendohet të jetë i gatshëm, pasi ka nisur stërvitjen dhe duket se po shkon drejt rehabilitimit. Mungesë e vetme deri më tani pritet që të jetë Kamara për shkak të dëmtimit.
Ndërkohë, kapiteni Bushiç është plotësisht i rikuperuar dhe me Vllazninë do ta nisë që nga fillimi. Edhe pse në ndeshjen me Luftëtarin disa lojtarë kuqezi janë ndëshkuar me kartonë të verdhë, burime pranë klubit konfirmojnë për gazetën se asnjë prej tyre nuk ka plotësuar numrin e tyre. (PanoramaSport)