Flamurtari, Kushta bën skanerin e dorëheqjes së Duros: Largim i dyshimtë, duhet të jesh arbiter të…

3 Maj 2018, 15:53Sport TEMA

Sokol Kushta mendon se Flamurtari duhet që të analizojë se ku ka gabuar për situatën e krijuar që çoi në dorëheqjen e trajnerit Shpëtim Duro.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat shprehet se dorëheqja e trajnerit është veprim që duhet përgëzuar, ndërsa nuk dëshiron të gjykojë uljen e Ardi Beharit në stol që, gjithsesi, e sheh si zgjidhjen më të mirë momentale. “Kur një trajner jep dorëheqjen, është një veprim për t’u përgëzuar. Por duhet analizuar pse dhe kush ka gabuar dhe të ndërhyhet për të rregulluar vazhdimin. Për sa i përket vazhdimit, është normale të vihej dikush për të mbyllur kampionatin. Se si ishte zgjedhja, nuk mund të gjykosh, ndërsa për të thënë se kjo ishte zgjidhje momenti ishte i mirë”, ka thënë fillimisht Kushta.

SITUATA

Ish-futbollisti ndalet edhe te situata aktuale e ekipit. Kushta e shikon të vështirë pjesëmarrjen e Flamurtarit në Europë, ndërsa thotë se gjithçka varet nga rezultatet e takimeve deri në fund. Sipas Kushtës, Flamurtari nuk mund të ndryshojë dot tani në fund të kampionatit. Ndeshjen me Vllazninë legjenda e futbollit e shikon delikate, pasi luhet ndaj një skuadre që është në garë për mbijetesën. “Sa u përket Kupave të Europës, varet nga ndeshjet që do të fitojë Flamurtari. Unë nuk mund të kem besim. Flamurtari nuk mund të ndryshojë në fund të kampionatit. Kushdo që të vijë, ai duhet të analizojë gabimet dhe të përgatisë skuadrën për sezonin që vjen. Të mos gabojnë më si këtë sezon. Ndeshja me Vllazninë është një ndeshje për dy skaje. Një skuadër për Europë dhe një për mbijetesë. Varet si e kanë oreksin të dyja ekipet. Varet sa të etur janë për të fituar këtë ndeshje”, ka vazhduar në deklaratën e tij Kushta.

MBIJETESA

Për Kushtën, Teuta është skuadra që rrezikon më shumë qëndrimin në Superiore edhe pse jo pa batutë thotë se arbitrat janë ata që e dinë se cila skuadër do të luajë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. “Për sa i përket garës për mbijetesë, është e vështirë që ta gjesh dhe duhet të jesh ose parashikues fati, ose arbitër. Vetëm këta të dy e dinë se kush bie. Duke parë renditjen, për mua më afër është Teuta. Nga fati nuk e di, nga FSHF prapë nuk e di si e kanë oreksin për ekipin që do të shkojë në Kategorinë e Parë”, ka mbyllur Kushta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje