Libra shqip për komunitetin që jeton në Australi

3 Maj 2018, 18:00Sociale TEMA

Librat shqip do të mbërrijnë deri në Australinë e largët, ku sipas statistikave jetojnë rreth 14 000 shqiptarë. Kjo çështje ishte në fokus të takimeve që zhvilloi Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko me zyrtarë të lartë ne Ministrinë e Jashtme australiane dhe Departamentin e Arsimit dhe Trajnimeve në Canberra.

Në vizitën e parë të një zyrtari të lartë pranë komunitetit shqiptar në Australi, Ministri Majko i shprehu mirënjohjen autoriteteve vendase për standardet e larta në trajtimin e emigrantëve, duke thënë se integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk janë në konflikt me njëri–tjetrin. Duke përshëndetur përfshirjen e gjuhës shqipe në sistemin shkollor në vendet ku përqendrohen me së shumti shqiptarët, të tilla si Melbourne, Majko i kërkoi Drejtorit për Evropën dhe Azinë në Departamentin e Arsimit, Craig Johnson, bashkëpunim në projektin e shpërndarjes së librave shqip në Australi dhe atë të mundësimit të librave online.

Zyrtari i lartë Australian vlerësoi iniciativën e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me atë të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

“Në Australi gjuha është shumë e rëndësishme dhe ne jemi fokusuar në ruajtjen e gjuhëve të komuniteteve që jetojnë këtu prej 25 vitesh. E kuptoj rëndësinë e projektit për t’u ofruar fëmijëve qasje ndaj materialeve të caktuara që lidhen me trashëgiminë dhe gjuhën e origjinës, kështu do të vlerësojmë mënyrën më të mirë për t’iu ndihmuar”, u shpreh  Johnson.

Ai vlerësoi planet për publikimin e librave online, pasi siç tha, në këtë mënyrë mund të arrihej më lehtësisht brezi i ri. Zyrtarët e lartë australianë informuan Ministrin se në shtetin e Viktorias, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, një grup i caktuar merret me identifikimin e mësuesëve dhe pjesëtarëve të interesuar të komunitetit, duke organizuar më pas kurse të gjuhës shqipe.  Majko e cilësoi modelin e integrimit në Australi si një shembull për t’u ndjekur.

Ndërkaq, në takimin me Zv/sekretarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme Christofer Langman u diskutua për bashkëpunimin e të dyja vendeve për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Australi.

1 komente në “Libra shqip për komunitetin që jeton në Australi”

  1. Niku says:

    U kenaq edhe Pandi me turizem…Vajti qe kur eshte bere minister se mbledh shpia. As me nje vend ne tjetrin… Ka pyetur njeri se kush I paguan keto fatura se sa per emigrantet zoteri eshte nje nga fajtoret kryesor qe kane marre rruget neper bote…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje