Kukësi i tij është në një formë shumë të mirë dhe trajneri Peter Pakult nuk ka si të mos jhetë i kënaqur. Përpara është ndeshja me Lushnjën, që duket e fituar në letër, por trajneri austriak është shumë serioz në atë që kërkon nga të tijtë.
Në konferencën e zakonshme të shtypit, ai ka folur para pak minutash për tema të ndryshme, mes tyre edhe për merkaton:
“Kaloi një javë nga ndeshja e kaluar dhe jemi të kënaqur që arritëm të fitonim në Korçë. Kemi disa probleme në ekip me lojtarët, por pa marrë parasysh si janë gjërat, duhet të marrim pikët nesër. Na mungojnë Kale dhe Alla me kartonë.
Kemi pasur një bisedë me ekipin, pasi dihet sa të vështira janë këto ndeshje si me Lushnjën. Çdo ekip që ka luajtur me Lushnjën, ka fituar me vështirësi dhe nesër duhet të bëjmë maksimumin për të marrë më të mirën. Mendoj se edhe ata që kam në stol do të jenë të gatshëm të japin më të mirën, pasi e kanë bërë deri tani.
11 pikë ndaj Skënderbeut? Unë e kam uruar Skënderbeun. Edhe pse në futboll ndodhin shumë të papritura, e kam thënë se Skënderbeu e ka fituar titullin. Sa i përket Europës, kemi filluar të mendojmë, por po mendojmë më shumë në përgjithësi
Aktivizimi i të rinjve? Të them të drejtën, duhet të shohim si shkojnë gjërat nesër. Deri kur të jetë çdo gjë e siguruar, nuk do të eksperimentoj shumë.
Zëvendësuesi i Gurit?
Rexhinaldo dhe Plaku? Për momentin janë gjëra që shkruhen vetëm në gazeta. Do të shohim se çfarë mund të bëjmë për të zëvendësuar Gurin në javët e ardhshme. Nëse dikush do të largohet, mund të ikë. S’ka problem për mua. Kale nuk ishte i kënaqur as me veten dhe zëvendësimi i tij nuk mund të shihet si diçka dramatike.
Që nga fillimi, kur m’u dha mundësia të drejtoj ekipin, e kam pranuar me kënaqësi dhe më vjen mirë që kemi një ecuri të mirë. Shpresoj ta vazhdojmë kështu. Do të tentojmë të bëjmë gjëra më të mira për klubin dhe normalisht që Skënderbeu është një shembull për tu ndjekur për gjërat që ka bërë deri tani.
Duhet që gjërat te Kukësi të jenë më afatgjata. Kemi pasur një bisedë me presidentin që lojtarët cilësorë që janë në ekip duhet të mbahen dhe duhet që lojtarët të rrinë 2-3 vjet bashkë, si dhe të kemi 1-2 përforcime”, – ka thënë mes të tjerash trajneri Pakult.