Kryetarit të Shoqatës “Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë”, Tahir Kastrati ka pranuar publikisht se ai dhe të gjithë gjyqtarët, janë në varësi të plotë të FSHF-së. Deklarata e bërë sot nga ai gjatë “Procesit Sportiv” hedh poshtë pretendimet që vetë Kastrati kishte deri pak kohë më parë, se ishte i pavarur dhe se sipas tij, Shoqata kishte edhe pavarësi financiare nga FSHF.
“Federata Shqiptare e Futbollit është financuesi i vetëm i yni. Nuk kemi fonde të tjera përveç asaj që na jep Federata Shqiptare e Futbollit, nuk kemi asnjë sponsor tjetër, asnjë fond”, ishin fjalët e sotme të thëna nga kryetari i shoqatës që pretendon se është plotësisht e pavarur, por që faktikisht nuk është e tillë.
Pak muaj më parë, më saktësisht dy javë para zgjedhjeve, më 22 janar, Kastrati u urdhërua të dilte para mediave nga drejtuesit e FSHF-së për të trumbetuar pavarësinë e tij. I akuzuar nga kandidati Bashkim Fino si i varur plotësisht nga FSHF, Kastrati asokohe doli para mediave për të mbrojtur “pavarësinë”.
“Shoqata jonë është njohur edhe nga organizmat europianë, ka 7 vite që jemi anëtarë të Konventës së Arbitrave të Europës, nga e cila përfitojmë bazë materiale, përfitojmë edhe financime në valutë”, ishin asokohe fjalët e kryetarit që mundohej t’ua shiste mediave si pavarësi.
Kuptohet që ajo ishte një gënjeshtër, pasi UEFA nuk i kalon fonde askujt tjetër përveçse FSHF-së dhe ajo që tha Kastrati ishte një mashtrim publik, të cilin i njëjti person nuk e pati aspak problem ta demaskonte sot.