Situatë e nderë te Partoizani një ditë para transfertës shumë të rëndësishme me Luftëtarin në Gjirokastër.
Gjatë seancës stërvitore të kësaj të marteje, ka patur shkëndija mes trajnerit Klevis Dalipi dhe mesfushorit vlonjat, Bruno Telushi, aq sa ky është detyruar të braktiste stërvitjen.
Fillimisht Dalipi dhe Telushi kanë nisur të bisedojnë apo të sqarohen me njëri-tjetrin për faktin se lojtari nuk ishte pjesë e formacionit titullar, por më pas janë ngritur tonet dhe acarimi për pak ka degjeneruar në përplasje fizike.
Është dashur ndërhyrja e pjesëtarëve të tjerë kampin e kuq që situata të mos precipitonte me keq.
Futbollisti vlonjat ka lënë stërvitjen dhe fushën e blertë për t’u larguar me këpucë në dorë. Tashmë mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë klubi.
Një situatë që përsëritet te Partizani, ndonëse ndryshojnë vetëm protagonistët. Thuasje e njëjta gjë ndodhi në përgatitoren turke të janarit edhe mes ish-trajnerit Starova dhe Lorenc Trashit. Për këtë të fundit pati një pezullim të përkohshëm. Duhet thënë se trajneri Dalipi e ka aktivizuar si titullar Telushin në ndeshjet e fundit, duke ulur në stol Malën, por për transfertën e Gjirokastrës mësohet se vlonjati do ta niste nga stoli.