Për Ernest Gjokën dhe Vllazninë nuk ka rezultat tjetër përballë Kamzës veç fitores.
Trajneri shkodranëve këtë e di mirë dhe e cilëson një sfidë tejet të vështirë atë ndaj një rivali direkt, por i bindur se skuadra e tij do të bëjë më të mirën për të marrën maksimumin.
“Është një sfidë e fortë dhe është fakt që çdo takim e kemi luajtur për mbijetesën. Kamza është një rival direkt, por ne duhet të jemi të qetë dhe të marrim rezultat pozitiv për të fituar oksigjen për tri ndeshjet fundit. Me barazimin nuk na dalin llogaritë, prandaj na duhet vetëm fitorja. Duhet të bëjmë gjithçka për gjithçka, aq më tepër në fushën tonë.”
Në sfidën e kësaj të mërkure për Gjokën është tejet e rëndësishme mbështetja e tifozëve gjatë gjithë 90 minutave, për të arritur te suksesi të gjithë bashkë.
“Uroj që t’i kemi tifozët, ata janë oksigjen për ne. Në Shkodër i kemi zhgënjyer, prandaj nuk kanë qenë të shumtë. Shpresoj të vijnë e të na mbështesin sepse na duhen në momentet më delikate të sfidës. Shpresoj t’ia dalim dhe Vllaznia të mos luajë më për mbijetesë.”
Pavarësisht luhatjeve në rezultate besimi i Gjokës se Vllaznia do të qëndrojë nuk është luhatur aspak, madje trajneri shpreh dëshirën që ky të jetë sezoni i fundit që skuadra të jetë në këto pozita.
“Asnjëherë nuk më është lëkundur besimi, edhe kur dimri ishte shumë i egër këtu në Shkodër. Besoj se do t’ia dalim, edhe pse e dimë që gara do të jetë e fortë deri në fund.”
Vllaznia nuk do të ketë për këtë ndeshje shërbimet e Orelesit, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e gjitha në dispozicion të trajnerit Gjoka.