Kamza refuzoi të dorëzohet, drejtuesit nuk pranuan për asnjë moment rikthimin në Kategorinë e Parë, duke ndryshuar timonierin në një moment deçiziv të sezonit.
Të përqafosh ndryshimin është një nga gjërat më të rëndësishme të njeriut, por për grupin e futbollistëve të Kamzës nuk ka rezultuar e tillë. Largimi i ish trajnerit Ramadan Ndreu sigurisht që la shije të hidhur, por një grup me karakter di të reagojë ndaj ndryshimit, madje duke reflektuar në fushë.
Erlis Frashëri
“Trajnerin Ndreu e falenderojmë për grupin që ka formuar ndërsa Ahmataj na kupton më mirë si djalë i ri që është pasi ka pak vite që ka lënë edhe vetë futbollin”.
Ndaj Flamurtarit ishte një ndeshje e veçantë për Idrizajn, vlonjatin që sakrifikoi duke luajtur për 90 minuta. Një profesionist i vërtetë në fushë dhe jashtë saj.
Hektor Idrizaj
“Ndjesi e veçantë pasi luaja ndaj skuadrës së qytetit dhe ku unë jam formuar. Por ne kishim objektiv më të madh, ndërsa Flamurtari mjaftohej me një pikë. Në fund ia dolëm”.
Erlis Frashëri festoi me një paraqitje të shkëlqyer 30-vjetorin e lindjes, me festën që mund të konsiderohej e kompletuar nëse do të shënonte në sekondat e fundit të sfidës. Korçari ka luajtur pothuajse në çdo pozicion për Kamzën këtë sezon me golin që duket si një vegim për të.
Erlis Frashëri
“Nuk ka rëndësi goli, pasi e rëndësishme është që fituam dhe morëm 3 pikë të rëndësishme për objektivin”.
Në 6 ndeshjet që Julian Ahmataj ka marë drejtimin e skuadrës, Kamza regjistron 2 fitore, 3 barazime dhe humbjen në debutimin ndaj Skënderbeut në Korçë. Veteranët Idrizaj dhe Frashëri qëndrojnë me këmbë në tokë pasi përpara shohin të tjera beteja për të siguruar mbijetesën, që duket çdo javë e më pranë.
Erlis Frashëri
“Nuk e diskutojmë mbijetesën, shpresojmë të marim fitore me Laçin pasi e kemi ndeshje të shtëpisë. Nuk e diskutojmë qëndrimin mes më të mirëve”.
Hektor Idrizaj
“Jemi mësuar të shohim vetëm punën tonë dhe obejtkvi i radhës është ndeshja me Laçin”.