Mbas 34 javësh, Kukësi arriti matematikisht vendin e dytë të renditjes me 62 pikë, i cili iu siguron kampionëve një vend në Europa Ligë. Por, duke marrë shkas nga dënimi mundshëm i Skënderbeut, verilindorët i bëjnë llogaritë për të luajtur në Champions Ligë.
Presidenti Gjici ka konfirmuar në stol trajnerin austriak Peter Pakult, i cili ka bërë një gjysmësezoni fantastik. 58- vjeçari e mori Kukësin në janar në vend të katërt me 25 pikë dhe dy javë nga fundi e renditi mes dy të parave. Pakti mes të dyve, midis tij dhe presidentin Gjici, është arritur, e tani ish-trajneri i Rapidit të Vjenës pret një ekip të madh që të marrë pjesë në eventin më të madh për klube në Europë.
Presidenti Gjici i ka premtuar austriakut përforcime që të bëjnë diferencën me qëllim që Kukësi të kalojë të paktën një tur në Champions Ligë e më tej të shkojë në fazën e grupeve në Europa Ligë. Trajneri ka kërkuar një projekt ambicioz për Kukësin, ku dhe ai vetë do japë një ndihmesë kryesore. Përveçse prurjeve që do i ofrohen në radhët e futbollistëve, ai do ndikojë direkt në futbollistë që njeh apo ka stërvitur më parë, ku është i sigurt për cilësinë e tyre, do negociojë vetë.
LARGIMET Tani që çdo gjë te Kukësi përfundoi, dhe pse kampionati nuk ka përfunduar zyrtarisht, Pakult ka dhënë mendimet për një listë lojtarësh, të cilët nuk pritet të jenë në planet e tij. Gazeta mëson ekskluzivisht se në listën e zezë të trajnerit janë Bujar Idrizi, Eni Imami, në radhët e lojtarëve që kanë luajtur për shumë ndeshje si titullarë.
Kosovari ka luajtur 23 takime, 20 prej tyre si titullar, ndërsa Imami me plot 29 ndeshje të luajtura, 19 prej tyre si titullar. Imami është një element mjaft i rëndësishëm për Kukësin, por palët duket se nuk kanë dakord për vazhdimësinë, ku dhe vetë lojtari ka deklaruar më parë se nuk e di nëse do qëndrojë te Kukësi. Imami dhe Idrizi kanë disa oferta nga ekipe të Superiores, por dhe nga klube kosovare. Lista vijon me Ervis Kocin, veteranit të portës kuksiane mund t’i ofrohet një rol teknik në klub, Lavdim Ebipin, Ardit Peposhin e Albi Koldashin.
DILEMAT
Te Kukësi rrezikojnë të largohen dhe emra “big” si Enea Koliçi dhe Albi Alla. Dy pogradecarët bënë një sezon të shkëlqyer kur Kukësi fitoi kampionatin, në atë 2016-2017. Të dy patën pretendime për kontratat e mbas shumë diskutimesh e “sherresh” të dy firmosën dhe për një vit me verilindorët me pagë të dyfishuar, por dhe pse cilësitë e tyre janë të padiskutueshme, të dy kanë pasur oshilacione të mëdha gjatë këtij sezoni. Koliçi ka luajtur 25 takime në kampionat, 24 nga të cilat si titullar, e 1 si zëvendësues, por mbas humbjes së Kukësit fazën e tretë me 14 mars në Gjirokastër, portieri humbi rolin e titullarit dhe vendin e tij e zuri Stivi Frashëri.
Të njëjtin fat e ndoqi dhe Allën, i cili ka luajtur vetëm 23 takime, e 18 si titullarë. 25-vjeçari ka pësuar disa dëmtime që nuk e kanë lënë të japë më të mirën. Aktualisht, Alla është i dëmtuar, ka tërheqje muskulore dhe ka humbur pjesën e mbetur të sezonit. Një gjë është e sigurt: nëse të dy nuk ulin pretendimet financiare, presidenti Gjici nuk i mban. Koliçi dhe Alla janë ndër lojtarët më të paguar në ekip me rrogë neto 5 mijë euro në muaj. (Panorama Sport)