ANALIZA: "Ballkani Perëndimor në BE është iluzion"

23 Maj 2018, 09:12Rajoni TEMA

BE i përmbahet synimit të anëtarësimit të plotë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë e bëri sërish në takimin e nivelit të lartë në Sofje. Christoph Hasselbach kërkon të ndiqet një rrugë tjetër.

Nga Christoph Hasselbach

Argumentimi i Komisionit Evropian tingëllon bindës: “Ose ne eksportojmë stabilitet ose  importojmë instabilitet”, e përmbledh rregullisht Komisari i Zgjerimit të BE, Johannes Hahn motivin e BE, për t’u dhënë gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë anëtarësimi. Ajo synon të jetë nxitje për reforma demokratike dhe ekonomike si dhe për zgjidhjen e konflikteve brendashtetërore. Ajo që nuk e thotë Komisioni, peshon të paktën po kaq shumë: BE dëshiron të kundërshtojë ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon. Të dy synojnë të bëhen tërheqës me para dhe investime dhe në dallim nga BE ata nuk bëjnë pyetje të pakëndshme për gjendjen e shtetit juridik.

Lodhja nga zgjerimi është shumë e dukshme

Por kundër një anëtarësimi të plotë në një kohë të afërt flet jo vetëm rrethana që gjashtë shtetet në fjalë nuk i kanë bërë “detyrat e shtëpisë” që u kërkohen, por edhe arsye parimore – krejt të pavarura nga ritmi i reformave në Ballkan.

BE është për momentin tepër i zënë me veten, për të pasur fuqi për një raund të ri zgjerimi. Vetëm të folurit për një datë – Komisioni përmendi në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi vitin 2025 – shkakton në shumë kryeqytete panik të vërtetë. Dhe kjo ndodh për arsye të forta.

Në raundet e fundit të zgjerimit, qenë në fund të fundit vendimet politike ato që i spostuan rezervat për mosplotësimin e parametrave për anëtarësim. Nga Rumania dhe Bullgaria për shembull sot do të qe kërkuar më shumë se atëherë kur u pranuan. Por ai që është njëherë anëtar i klubit, kundër tij thuajse nuk ke më mjete në duar. Ai përfiton nga të gjitha përparësitë e BE dhe është në gjendje të bashkëvendosë – edhe atëherë kur sjellja e tij të lë për të dëshiruar. Në rastin e qeverive në Poloni dhe Hungari mund të shohësh që sa e vështirë është për Brukselin që t’i detyrojë për sjellje të mirë shtetet anëtare.

Nacionalizmi në Ballkan është ndoshta problemi më i madh i tij. Komisioni shpreson që me një anëtarësim të shteteve në BE ai mund të mbahet nën kontroll. Por më shumë gjasa ka që atëherë ai vetëm se do të ishte BRENDA dhe jo më jashtë BE. Me rezultatin që Bashkimi Evropian do ta bllokonte veten edhe më shumë se tani pa të.

Bëhet edhe ndryshe

Nuk duhet harruar dallimi gjigand ekonomik: të gjashtë shtetet ndodhen ekonomikisht shumë më poshtë se mesatarja e BE dhe në këtë mënyrë do të ishin në mënyrë të vazhdueshme përfituese parash neto. Për paguesit e parave neto, anëtarësia në BE bëhet gjithnjë e më pak atraktive, sa më shumë përfitues janë. Parimi i solidaritetit në thelb është në rregull. Por mungesa e barazpeshës nuk duhet të jetë shumë e madhe. Veç kësaj, me një anëtarësim të plotë liria e lëvizjes do të çonte ndoshta në lëvizje të tjera migratore nga Ballkani në shtetet më të pasura të BE me sistemet e tyre të pajisura mirë të mbrojtjes sociale. Kjo është e kuptueshme nga këndvështrimi i njerëzve, por do ta nxiste edhe më tej armiqësinë kundër të huajve në Veri.

Çfarë rezulton nga e gjitha kjo? BE as nuk duhet ta lërë Ballkanin vetëm, as t’ia lërë ndikimit të Rusisë dhe Kinës. Synimi duhet të mbetet një lidhje e fortë. Megjithatë ajo nuk duhet të jetë anëtarësimi i plotë, por një partneritet nën këtë nivel, ngjashëm me shtetet e EFTA-s. Kjo do të thotë një bashkëpunim i ngushtë ekonomik edhe mbështetje e shumëanshme, por jo e drejtë bashkëvendosjeje në interesat e BE.

Ndoshta janë të shumtë ata kryetarë shtetesh që mendojnë kështu, por nuk e thonë deri tani. Në vend të kësaj, edhe në takimin e BE dhe të shteteve të Ballkanit u dëgjua avazi i vjetër, se shtetet me siguri që pas disa vitesh do të jenë pjesë e BE, por tani është shumë herët. Më e ndershme do të kishte qenë që të dyja palëve t’u jepej një perspektivë më realiste me horizonte konkrete kohore.

2 komente në “ANALIZA: “Ballkani Perëndimor në BE është iluzion””

  1. shushica says:

    Eshte e qarte ,pranimi i te gjithe vendeve eurolindore ,por edhe i ish diktaturave ushtarake ,Spanjes ,Greqise ,Portugalise ka qene gjeopolitik.Tashme vendet e Ballkanit perendimor nuk kane peshe gjeostrategjike per BE Per SHBA ..po dhe ajo ke mundet e fut ne NATO..Historia mbaroi .Sipas gszetarit ,18 milione banore qe kane mbetur si nje vrime e zeze ne harten europiane rrezikojne superfuqine me te madhe ekonomike ne bote BE ,me nje popullsi mbi 500 milione banore .Qesharake,hipokrite ,ofenduese .Gjermania ne 90 n me 60 milione banore absorboi brenda nje nate 18 miline gjermanolindore dhe nuk ndodhi asnje katastrofe .Dhe gjithe BE pranoi dhe pagoi .Cfare te bejme ….
    Thjesht,vendet e rajonit te arrijne nje marreveshje te perbashket per te ftuar Kinen ,joRusine dhe Turqine ,per nje plan investimesh te kordinuara .Natyrisht Kina ,me miliardat e lira ,me shkencen ,teknologjine dhe fuqine njerezore jo vetem nuk e ka problem ,por edhe eshte e interesuar .Perdor zonen si baze per zgjerimin ekonomik ne Europe .Kaq,situata,ndryshon .Ndoshta dikush ne Bruksel do te kuptoje qe loja absurde ,hipokrite me ballkanasit e varfer duhet te perfundoje .F tojeni Xi Jipingun per nje turne ne Tirane ,Shkup ,Beograd …..dhe do te shikoni si do te hidhen perpjete kancelerite europiane ,edhe pse ato vete me Kinen kane marredhenie qindramiliardeshe ..Sepse ata ,te pasurit kane parimin ,,,beni si them une por mos beni si bej une ..

  2. like says:

    ballkani eshte nje grope qe ose e mbush europa duke nderprere gerryerjet qe ben kina, rusia e arabet, ose u rreshket toka nen kembe siç ndodhi ne kohen e kryqezatave. prosperiteti ose mesjeta e kontinentit luhen ne ballkan tashme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje