Galioni “San Jose”, rasti i Kolumbisë dhe anijet e mbytura në Shqipëri

23 Maj 2018, 09:34Kulturë TEMA

Intervistë me Auron Tare, Kryetar i Këshillit Shkencor në Unesco

Nga Aurora Sulce

Pak ditë më parë, gazeta më e madhe spanjolle El Pais do t’i kushtonte një artikull të gjatë ekspeditës miliona dollarëshe që qeveria kolumbiane po përgatit në bashkëpunim me një kompani private, e kontraktuar në formën PPP, për të nxjerrë nga 600 thellësi një anije të famshme dhe të mbushur me thesare, galionin “San Jose”.

Unesco kundërshton këtë nismë të qeverisë kolumbiane, si dhe faktin se ajo do t’i shesë një pjesë të thesareve që do të gjenden në anije. Auron Tare, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Shkencor të Unesco-s  i ka drejtuar një letër Qeverisë Kolumbiane dhe Presidentit, e cila u botua nga shumë media ndrëkombëtare, si New York Time dhe Washington Post.

Për Ekonomix.al, Tare analizon rastin e galionit “San Jose” dhe shpjegon si duhen trajtuar pasuri të tilla, duke përfshirë këtu Shqipërinë, që sic thotë ai është “ka një numër të madh anijesh të mbytura”.

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Shkencor të Unesco-s, ju i jeni drejtuar me një letër Qeverisë Kolumbiane dhe Presidentit . Kjo letër që u botua nga një numër i madh mediash të huaja, përfshirë New York Time dhe Washington Post sillte kundërshtimin e Unesco-s për projektin në anijen e mbytur “San Jose”. Pse kundërshton Unesco?

Po, është e vërtetë që në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Shkencor unë kam dërguar një letër të hapur për Qeverinë Kolumbiane, ku në emër të Këshillit që përfaqësoj, shprehim shqetësimin e thellë për mënyrën se si qeveria kolumbiane kërkon të trajtojë projektin për nxjerjen e thesareve të galeonit “San Jose”.

Duhet thënë se kjo anije, e mbytur në 1708 në ujërat që sot i perkasin Kolumbisë ishte një anije e flotës spanjolle, që transportonte ndër të tjera edhe thesare të Kurorës Mbretërore Spanjolle, si dhe 600 vetë përfshirë, edhe detarë.

Anija u mbyt në përplasjen me flotën britanike, ku bashkë me anijen u mbytën edhe 600 personat në të. Zbulimi i kësaj anije ka qenë pjesë e legjendave të shumta të thesarkërkuesve apo ekspeditave të ndryshme. Tashmë që është konfirmuar zbulimi i saj, ​Këshilli Shkencor i Unesco-s pret që kërkimet në të, të jenë në nivelin më të lartë shkencor dhe profesional. Ndërkohë nga informacioni i mbledhur dhe nga deklaratat e institucioneve kolumbiane mësohet se ekipi i përfshirë në të, si dhe mënyra që do të zbatohet nuk përputhet me kriteret profesionale, si dhe fakti që një pjesë e madhe e thesareve që zbulohen do t’i jepen ekipit, që do të financojë për këtë ekspeditë.

Ndërkohë, e gjitha kjo praktikë bie ndesh me parimet e Konventës së Unesco-s për mbrojtjen dhe ruatjen e pasurive arkeologjike nënujore, si pjesë e rëndësishme e trashëgimnisë kulturore të vendit, ku është zbuluar anija.

A ka praktika të ngjashme në botë?

Sigurisht që ka pasur edhe raste të tjera, ku anijet e zbuluara janë dëmtuar rëndë nga mënyra jo profesionale e kërkimeve apo marrja e pasurive në to. Ka shumë raste edhe në Shqipëri, ku anijet e mbytura janë grabitur, duke dëmtuar kontekstin historik, si dhe ​faktin që një pjesë e tyre janë edhe varreza ushtarake, të cilat janë pjesë e konventave të detit.

Por ajo që është edhe më e rëndësishme është fakti që nëse këto pasuri do të trajtoheshin me kujdes, ato mund të kthehen në atraksione të mëdha kulturore, në ndihmë të turizmit lokal apo muze shume atraktivë.

Cila është forma që Unesco dhe ju si ekspert do të rekomandoni për trajtimin e pasurive të tilla?

E para, mënyra që Qeveria kolumbiane po kërkon të trajtoje këtë rast me PPP është një mënyrë jo e duhur për kërkime shkencore të këtij niveli.

Po kështu, fakti që një pjesë e madhe e pasurive që do të nxirren nga “San Jose” do t’i kalojnë kompanisë private që do të kryejë kërkime dhe nuk do jenë pjesë e trashëgimnisë kulturore të Kolumbisë.

Ne rekomandojmë që në ekspedita të tilla të përdoren standardet më të larta të kërkimeve shkencore. Përfshirja në ekspedita të tilla të shkencëtareve me integritet profesional dhe jo personazhe të përfshira në ekspedita thesarkërkuese, si dhe qëndrimi i të gjitha objekteve që zbulohen në Kolumbi, si pjesë e nje muzeumi kombëtar të dedikuar kësaj ngjarjeje.

A ka Shqipëria pasuri të tilla dhe a mund të jenë ato një atraksion turistik?

Shqipëria, si një vend me një histori të madhe të civilizimeve mesdhetare ka një numër të madh anijesh të mbytura, disa prej tyre shumë të rëndësishme në kontekstin historik.

Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë një ligj të saktë dhe koherent për mbrojtjen e këtyre pasurive.

E dyta, vendosja e këtyre pasurive në dobi të publikut dhe të zhvillimit ekonomik lokal të zonave, ku ndodhen këto pasuri në të njëjtën mënyrë si qendrat arkeologjike në tokë.

E treta, ruajtja e tyre nga dëmtimet dhe grabitjet e vazhdueshme, si dhe studimi i tyre në ekipe profesioniste, si pjesë e rëndesishme e hedhjes dritë mbi një prej pjesëve më të panjohura të historisë shqiptare, atë të marrëdhënieve të shqiptarëve me detit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje