ANALIZA: Ecuria me Panuçin në stol, pësojmë dy gola për ndeshje

4 Qershor 2018, 10:01Sport TEMA

Ky është cilësuar viti zero për Kombëtaren.

Paraqitja tejet e dobët ndaj Kosovës u pasua nga zhgënjimi total edhe përballë Ukrainës, me Shqipërinë që është shfaqur shumë larg skuadrës së viteve të fundit dhe niveleve që pretendohen.

Ekip i shuar, pa grintë dhe apatik në fushë!

Kur u emërua në krye të stolit kuqezi, në korrik të vitit 2017, trajneri Christian Panucci erdhi me pritshmëri të mëdha, por edhe me premtimin se do të formonte një ekip që synon rezultatet duke sulmuar.

Deri më tani, asnjë prej këtyre elementëve të projektit nuk është realizuar.

Shqipërisë i mungojnë rezultatet, për skuadër ofensive duket e vështirë të flitet, edhe pse në disa raste kemi luajtur me tre sulmues, ndërsa ekipi ka humbur edhe soliditetin në mbrojtje, që cilësohej një prej pikave më të forta.

Të gjitha këto konfirmohen nga statistikat e regjistruara gjatë ecurisë me Christian Panuccin në stol.

Trajneri e ka drejtuar Kombëtaren shqiptare në 8 ndeshje, duke regjistruar 5 humbje, 1 barazim dhe vetëm 2 fitore.

Kuqezinjtë kanë realizuar 7 gola, diçka më pak se një për ndeshje, ndërsa kanë pësuar 15 rrjeta, mesatarisht dy gola për ndeshje.

Sa për paralelizëm, në 11 ndeshjet e fundit me De Biasin, duke nisur nga pjesëmarrja historike në Europianin 2016, Shqipëria kishte pësuar 14 gola.

Për tu theksuar fakti që ajo pas turneut në Francë ishte periudha më negative me trajnerin që e udhëhoqi skuadrën drejt suksesit më të madh në arenën ndërkombëtare, me Kombëtaren që ka luajtur ndaj ekipeve si Spanja, Italia apo edhe Bosnja dhe kulmoi me humbjet ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.

Pas testeve me Kosovën dhe Ukrainën, kuqezinjtë e shohin veten në pikën më të ulët.

Ekipi dhe trajneri kanë humbur edhe mbështetjen e tifozëve, që me të drejtë i kontestojnë, sepse kjo nuk është Shqipëria e tyre.(SS)

3 komente në “ANALIZA: Ecuria me Panuçin në stol, pësojmë dy gola për ndeshje”

  1. kenga qe me mungon says:

    Po nuk behet skuadra kombtare me emigrante, po nuk pati futboll brenda vendit ne kampionatin kombtar. Forconi kampionatin kombtar dhe pastaj beni kombtare qe te kete stabilitet futbolli. Kjo lloj kombtare eshte hyp e zbrit si puna e asaj bordellos qe shkojne te gjithe. Ky Duka nderton kombtare duke sulmuar kampionatin vendas. Ku eshte Partizani, 17 Nentori, Dinamo, Flamurtari Luftetari Besa , Vllaznia etj qe i jepnin vendit lojtar ne kalibrit boteror. Armando Duka i groposi keto skuadra. Sado te jete prioritare ekonomi e tregut, ne futbollin kombtar duhen lojtar vendas . Mos ja kerkoni askujt tjeter, vetes.

  2. Shqiptari nga Kosova says:

    Panuçi duhet te iki, si trajner eshte medioker. Nuk do tho se nese ke qen futbollist i mire mund te jesh dhe trajner i mire..!!!!
    Te shkarkohet. Se pari te shkarkohet Duka i krimit e pastaj dhe Panuçi. Te thirret Besnik Hasi..!

  3. "BOHOTINA" says:

    “Kenga qe me mungon”, ke shume te drejte. Groposi skuadrat legjende te vendit, shkaterroi kampionatin kombetar per te ngritur vetem “Skenderbeun” ku eshte aksioner. Thjesht hajdut. Kam jetuar 22 vjet ne Korçe. Nuk lija ndeshje pa pare, por asnjehere nuk u kenaqa me ekipin vendas. Nje vit rrinte ne te paren sioL quhej ahere dhe nje vit ne te dyten. Fale trukimeve eshte kampion tani qe pret denimin si askush tjeter ne Europe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje