Adnan Januzaj mund të jetë një nga rekordmenët e rinj në Botërorin 2018, pasi nëse zbret në fushën e lojës gjatë aktivitetit me Belgjikën, do të bëhet futbollisti i parë belg që ka luajtur në dy edicione pa marrë pjesë në asnjë sekondë në eliminatore.
Megjithatë, lojtari po përgatitet me entuziazëm për këtë pjesëmarrje të dytë dhe në një intervistë të dhënë për mediat spanjolle, ka shpjeguar se e sheh Botërorin si një mundësi të madhe për të dhe shokët e skuadrës.
“E pres me padurim këtë Botëror. Të gjithë kemi luftuar në maksimum për të qenë pjesë e listës dhe tani tifozët mendojnë se mund të bëjmë një rrugëtim të mirë. Kemi shumë lojtarë të mirë që po luajnë në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe në kampionatet më të forta. Tani mbetet të ndërtojmë një ekip të fortë me ta, të punojmë si skuadër. Kjo është një mundësi e madhe që u jepet të gjithëve.
Sigurisht, ne dhe Anglia kemi më shumë lojtarë në kampionatet e forta sesa rivalët në grup. Por në Kupën e Botës nuk mund të mendosh se ke fituar çdo ndeshje dhe duhet të tregosh gjithmonë se je superior ndaj rivalit që ke përballë”, theksoi mesfushori i cili më pas i ka bërë një analizë atyre që sheh si ekipet më të forta.
“Gjermania ka një grup të fortë lojtarësh dhe paraqitet gjithmonë mirë në këto aktivitete. Brazili dhe Spanja kanë lojtarë shumë të mirë, me një stil të tyrin të lojës që po u jep rezultatet të mira prej vitesh. Dhe Argjentina ka Mesin. Mendoj se ka shumë presion mbi të, ndonëse mendoj se për të kjo nuk është asgjë.
E përmenda pasi ai është lojtari më i mirë mes atyre që janë në Botëror. Mos harroni se Argjentina gjithashtu ka Aguero, Di Maria apo Higuain, sa për të përmendur disa. Por Mesi është qartësisht më i miri, i Argjentinës dhe i gjithë kombëtareve të tjera. Askush tjetër nuk ka talentin e tij. Unë jam mes atyre që mendojnë se është një futbollist nga një planet tjetër”, deklaroi Januzaj.