Një ndër skuadrat më aktive në këtë merkato të verës, padyshim që është Kukësi pasi në klub janë afruar 4 futbollistë të rinj, nga të cilët 2 mbrojtësa, një portier dhe një mesfushor.
Drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi ka lajmëruar se do të ketë edhe shumë afrime të tjera në skuadër, në mënyrë që të jetë një grup me kualitet për kampionatin dhe Europën.
Nga vala e afrimeve të shumta, te Kukësi priten edhe disa largime, pasi tashmë disa reparte janë të mbipopulluara. Sa i përket portës, verilindorët numërojnë plot 4 portierë, pasi Kocit, Frashërit dhe Koliçit iu është bashkuar edhe gardiani nga Kosova, Faton Maloku dhe kjo do të thotë se priten largime pasi asnjëri prej portierëve nuk do të pranonte të ishte rezervë, e aq më tepër portier i tretë.
Sa i përket mbrojtjes, janë afruar Qaqi nga Laçi dhe Maliqi nga Shkupi, duke u bashkuar me Zhderiçin, Idrizin, Allën, Shametin, Hoxhën dhe Rrumbullakun.
Ky repart është ndër më të mbipopulluarit te Kukësi, ku përveç Shametit i cili mban edhe shiritin e kapitenit, askush nuk e ka vendin e sigurt në skuadër dhe këtë e tregoi largimi i Eni Imamit vetëm pak ditë më parë.
Mesfusha është reparti ku konkurrenca është e madhe në klub, por nuk mund të flitet për një mbipopullim, megjithatë, nëse ka afrime të reja, edhe në këtë repart mund të ketë të pakënaqur.
Problem te Kukësi mbetet sulmi, ku vendi i lënë bosh nga bomberi Sindrit Guri, ende nuk është plotësuar, madje është larguar edhe ai që shihej si zëvendësues në sezonin e kaluar, Amido Balde.
Ditët në vijim do të jenë shumë të ngarkuara për verilindorët, merkatoja e të cilëve pritet të jetë e nxehtë, si në hyrje, po ashtu edhe në dalje.