Grigja, dëgjesë me demokratët kundër Teatrit të ri

15 Qershor 2018, 19:49Antena TEMA

Në PD po diskutohet mënyra se si PD të mbështesë grevën e një grupi aktorësh, që do të kundërshtojnë ndërtimin e Teatrit të ri.

Grigja, e cila është caktuar nga partia të flasë me aktorët, mblodhi Departamentin e Kulturës të PD-së dhe hartoi një plan masash, pasi bëri një dëgjesë mes  Departamentit dhe degës së Tiranës.

-Ne nuk duhet të lejojmë ndërtimin e Teatrit të ri, pasi një Teatër i ri fshin memorien e vjetër të Teatrit, dhe kjo është apokalips mbi kujtesën e Teatrit.

Dega e Tiranës nuk duhet ta lejojë kurrë, vazhdoi Grigja.

Si mund të ndodhë që tironsit e vërtetë, demokratët e vërtetë të Tiranës, ata që i kanë dhënë shpirtin demokracisë, të lejojnë të shuhet nga memoria komedia “Prefekti”.

Unë jam rritur me atë komedi dhe me atë rol.

-Më fal zonja Grigja, ngriti dorën një demokrat.

Unë jam demokrat i “Pazarit të Ri”.

Me thonë të drejtën, ne jena bo me PD se jena pro Qazim Mulletit, se ka kon alamet burri.

Ene Shiti, djali i tij në internim gjithë jetën prej asaj komedie.

Ne si PD duhet te jena kundër asaj pjese.

Po të jetë për atë, le të prishet jo Teatri mo, por dhe të ndalohet mos të jepet kurrë.

-Ua, pse ka qenë burrë i mirë Qazimi, pyeti Grigja?!

-Po si moj thu a ka qenë burrë i mirë!

Po ka pas fol 5 gjuhë të huaja e ishte shkollu në Perëndim.

Nuk ka mbaru shkollën e Salianusit.

-Ua, se dija!

Nejse mo, po Edi Rama ka fyer dhe Violeta Manushin.

Ajo është aktore e madhe.

Kurrë nuk mund ta harroj “Zonjën nga qyteti”

-Më fal zonja Grigja.

Jam demokrat i lagjes 8.

Ene unë jam bo me PD se Partia e Punës më pat emëru në Kukës, dhe më thoshte që duhet të shkosh me dëshirë.

Mezi prita me u rrëzu komunizmi dhe veç prej atij emërimi jam bo me PD.

Mos më thuj që ato emërimet kanë qenë qejf i madh si vajzë e Ollgës.

Ti ke kon kalama, por ne e dina ça kena heq me to.

Po të jetë për këtë, le të prishet teatri.

-Ua se dija, tha Grigja.

Po ai aktori që luan dramën “Kyçi i Artë”?

Ai më pëlqen shumë.

-Më fal, tha çuni i Fahros.

Drama “Kyçi i Artë” është drama  e babës sim.

Ai e ka shkruar për t’ia neveritur artin e realizmit socialist qytetarëve, që ata të ngriheshin kundër komunizmit.

Tani ajo nuk vlen më dhe babai im thotë se është dakord të mos jepet më, por të shpërndahet vetëm në LSI si material partie, meqë LSI është “Kyçi i Artë” i pushtetit.

-Por kur qeka kështu, ne kot që po merremi me Teatrin, tha Grigja.

Më mirë të kërkojmë ndonjë përqindje tek këto apartamentet e reja që do bëjë ky Fusha, dhe jemi në rregull.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje