Ishte parashikuar si Botërori i risive, Botërori i teknologjisë dhe kështu rezultoi.
Portugali–Spanjë, derbi iberik që dhuroi aq shumë emocione ka hyrë në histori pasi për herë të parë është përdorur sistemi VAR, Video Asistant Refere. Minuta 24-ët e sfidës së 4 të Botëroit rus, ndeshja e dytë e grupit B dhe ishte gjyqtari italian Gianluca Rochi ai që ndali ndeshjen për t’u konsultuar me video asistentët Irrati dhe Valeri, të cilët e konsideruan të rregullt aksionin e Diego Costës në golin e barazimit të parë, me luzitanët që pretendonin për një faull ndaj Pepes.
Tashmë e ardhmja edhe në futboll i përket teknologjisë, por ky moment do të hyjë në historinë e Botërorëve pasi për herë të parë ndërhyrja e VAR-it hoqi çdo dyshim mbi rregullsinë e aksionit. Në Sochi si për të konfirmuar se vendimi për të përdorur teknologjinë është i duhuri, kanë qënë gjyqtarët italianë, të familjarizuar me sistemin VAR ata që kanë bërë më së miri detyrën, duke qënë edhe ata tashmë pjesë e historisë, pavarësisht se Italia nuk është pjesë e këtij kompeticioni.
Madje gjithçka është dukur në perfeksion pasi ndryshe nga Serie A, ku gjyqtari mer kohë për të parë edhe vetë aksionin, këtu vendimi nuk ka qënë i gjyqtarit Gianluca Rochi por e dyshes Irrati–Valeri, që pasi kanë riparë nga disa këndvështrime aksionin kanë vlerësuar të rregullt golin.
Madje në minutën e 26-të italiani Rochi vijoi lojën pas traversës së Iscos dhe topit të përplasur në fushë, me spanjollët që pretendonin se topi kishte kaluar vijën fatale. Megjithatë gjyqtari tregoi orën e tij, duke evidentuar se goal line technology nuk sinjalizoi kalimin e topit.
Edhe në këtë rast përsëritja e dha të drejtë, me sfidën Portugali-Spanjë që përveç spektaklit të dhuruar dhe golave të Ronaldos do të mbahet mend edhe për përdorimin për herë të parë të VAR-it.