Më në fund ish deputeti 3K mori përsipër vazhdimin e betejës për Teatrin.
Në shfaqjen e organizuar para Teatrit, ish- deputeti 3K u afrua tek mikrofoni hijerëndë, i hodhi një vështrim krenar sheshit me protestues të PD-së dhe aktorë, kruajti pak zërin, dhe ja nisi:
“Biri im Trebicka.
E ndiej thellë plagën tuaj dhe jam i qartë se çfarë po ndodh në shpirtin tuaj të vluar.
Unë e njoh mirë atë njeri që do të prishë Teatrin, ashtu si njoh mirë dhe aktorët.
Ky është rasti të bëj një diferencë të fortë dhe të madhe mes aktorëve të Teatrit Popullor dhe aktorëve të Kinostudios.
Aktorët e Teatrit Popullor janë njerëz të fisëm, modestë, që nuk rendin të dalin në kamera, por përsërisin çdo natë pjesën që luajnë.
Ata kanë nevojë për këtë hapësirë për kafenetë përreth, për atë mezen e thjeshtë me një birrë tek cepi, për nostalgjitë e tyre, të fshehura në këto skuta në vite.
Aktorët e Kinostudios nuk janë të tillë.
Ata janë egoistë, ata luajnë një here, e filmojnë veten ne celuloid dhe pastaj gjithë jetën mburren me të.
Ndaj unë e njoh mirë këtë betejë, se kam pas të bëj me aktorët e Kinostudios, dhe me ju.
Kur unë mora i pari Kinostudion qysh në vitin 1998, aktorët e Kinostudios protestuan dhe më erdhën në zyrë.
-Çfarë kërkoni, u thashë? Doni Kinostudion?
Po ju filmat i xhironi maleve e fushave, çfarë u duhen zyrat!
Aty mu gufosën dhe nuk kishin çfarë të thoshin.
I nxorra jashtë nga zyra dhe vazhdova punë në Kinostudio.
Pastaj pas meje erdhi Sandri, Ylli e të tjerë, dhe ja kthyem Kinostudion atyre që prodhojnë vërtetë filma, dhe jo aktorëve që filmoheshin maleve.
Me ju ndryshon puna.
Ju këtu e keni jetën në Teatër.
Teatri i ri që duan të ndërtojnë këta, pavarësisht se është luksoz dhe i rehatshëm, është një kurth për ju.
Se pastaj do thonë, ju nuk e meritoni këtë Teatër dhe do t’u heqin nga puna.
Është hile e madhe kjo biri im Trebicka, ndaj mos u tërhiqni.
Mua më keni në ballë të protestës.”
Duartrokitje në shesh!
-Poshtë Kinostudio “Shqipëria e re”, rroftë “Teatri Popullor”, bërtiti Çipi.