Surpriza e radhës në këtë kampionat botërorë është Japonia.
Kombëtarja aziatike mposhti me shifra të ngushta 2-1 Kolumbinë, që duke përfituar dhe nga superioriteti numerik morën 3 pikë të vlefshme për fatet e saj në Grupin H.
Çdo gjë filloi keq për skuadrën e Kolumbisë, pasi në minutën e tretë Carlos Sanchez bëri një nderhyrje të gabuar në zonë dhe u gjykua si e gabuar nga gjyqtari kryesor që e ndëshkoi mesfushorin me karton të kuq dhe penallti në favor të Japonisë.
Ishte ylli i kësaj kombëtareje, Shinji Kagawa që shënoi nga pika e bardhë në minutën e gjashtë, duke e dërguar portierin në njërin krah dhe topin në krahun tjetër për të kaluar në avantazh ekipin e tij.
Kartoni i kuq nuk ndikoi shumë tek Kolumbia që u hodh në sulm për golin e barazimit, gol i cili erdhi në minutën e 39-të, pas veprimit fantastik të Quintero që me një goditje dënimi befason Japoninë.
Por kur të gjithë prisnin një reagim të skuadrës amerikano latine, Yuya Osako i dha fitoren japonezëve.
Në minutën e 73-të lojtari japonez tundi rrjetën pas një goditje me kokë dhe i dha fitoren aziatikëve, të cilët e mbajtën rezultatin e pa ndryshuar deri në fund edhe pse rastet nuk munguan.
Pas kësaj fitore Japonia renditet e para në grup me tri pikë, ndërsa ndeshja tjetër e këtij grupit është ajo ndaj Polonisë dhe Senegalit.
Përballja e ardhshme e Japonisë është ndaj Senegalit, ndërsa Kolumbia do të përballet me Poloninë. (TemA)
Goli i i parë i Japonisë i shënuar nga Shinji Kagawa
Goli i Kolumbisë i shënuar nga Quintero
Goli i Japonisë i shënuar nga Osako