“Mëngjes kampionësh” ose kur personazhi përballet me Rrëfimtarin

23 Qershor 2018, 12:55Kulturë TEMA

Nga Namir Lapardhaja

 

Kurt Vonnegut është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj amerikanë. Një prej romaneve të tij të përkthyer në shqip nga shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe” është “Mëngjes kampionësh”, ku me humorin e tij të zi, satirën dhe talljen ai shndërrohet në një ndër kritikët më të ashpër të shoqërisë bashkëkohore amerikane.
Mirëpo, më poshtë nuk do të ndalem as tek subjekti i veprës, as tek nënteksti, as tek ironiadhe humori i zi.

Romani “Mëngjes kampionësh” ka dy linja kryesore rrëfimi, të cilat ecin paralelisht me njëra-tjetrën: linja e parë flet për një shkrimtar librash fantastiko-shkencorë me emrin Kilgor Trofta, ndërsa linja e dytë bën fjalë për një shitës makinash të tipit “Pontiakë” i quajtur Duejn Huveri.

Rrëfimi relizohet aq natyrshëm sa të duket sikur dy personazhet e romanit janë pranë e pranë njëri-tjetrit dhe ngjarjet që zhvillohen aty të duket sikur do të vijnë në një pikë: në momentin e takimit të dy personazheve tanë.
Në fakt, të duket se i gjithë rrëfimi, pavarësisht se është i mbushur edhe me personazhe e ngjarje të tjera, i shërben vetëm këtij motivi.
Takimi mes tyre realizohet, por vetëm në fundin e romanit dhe duket se Rrëfyesi e ka thurur të gjithë materialin e tij letrar në shërbim të kësaj ngjarjeje.

Përveç takimit midis dy personazheve tanë, në këtë roman kemi edhe një takim ose përballje tjetër: kemi takimin e personazhit me Rrëfimtarin. Jo me shkrimtarin. Kemi pasur, fjala vjen, në letërsinë shqipe (në atë botërore, nuk di ose nuk më kujtohet) ku personazhi i veprës takon autorin e saj (Xhuvani, Agolli etj.), ndërsa një takim të tillë midis Rrëfimtarit, si personazh modern i veprës, dhe personazhit të tij të trilluar, nuk e kisha hasur asgjëkundi më parë.
Është një mjedis, një lokal më saktë, me dritë pak të vakët dhe me një errësirë të gjithanshme, ku Trofta do të takojë Duejnin, mirëpo në këtë moment edhe Rrëfimtari do të na shfaqet në të njëjtin ambient me frikë nga vetëdija e personazhit për ekzistencën e tij: “Trofta ishte i vetëdijshëm edhe për mua (Rrëfimtarin), për aq pak sa mundej të më shihte. Unë e vija edhe më në siklet se ç’e vinte Duejni…”

Pak më tej Rrëfimtari i gjithëdijshëm dhe i kudogjendshëm sqaron të gjithë lëmshin e rrëfimit të tij, duke u qartësuar edhe më shumë në lidhje me personazhin e tij: “Puna ishte kështu: Trofta ishte i vetmi personazh që kam krijuar ndonjëherë, që të kishte aq imagjinatë sa të dyshonte se mund të ishte krijesë e një tjetër qenieje njerëzore. Ai i kishte folur papagallit të tij disa herë rreth kësaj mundësie. Kishte thënë, për shembull: “Për atë Zot, bill, kështu siç po shkojnë punët, mund të mendoj vetëm se jam një personazh në ndonjë libër të shkruar nga ndonjëri që do të shkruajë për dikë që vuan gjithë kohën…”

Kemi një gjetje letrare që nuk e gjejmë askund tjetër më parë. Kemi një konceptim të letërsisë në vete dhe për vetvete kur Rrëfimtari jo vetëm që është prezent, por luan e argaliset “më tepër se ç’duhet” me personazhet e tij.
Pak më tej, jemi po në të njëjtin ambient, mirëpo këtë herë pikëtakimi realizohet me personazhin tjetër, Duejnin, i cili në marri e sipër ka plagosur mbi njëmbëdhjetë persona, plagë të llojeve të ndryshme, mes tyre dhe kë?! Rrëfimtarin e vetë rrëfimit, i cili ka qenë prezent në vendngjarje.

“Sa për veten time: Unë ruaja një distancë të respektueshme mes meje dhe gjithë dhunës – sado që e kisha krijuar unë Duejnin dhe dhunën e tij, si edhe qytetin, qiellin përmbi dhe tokën përnën. Sado kudo, unë dola nga kjo kryengritje me një xham ore të thyer dhe me atë që më vonë na doli të ishte një gisht këmbe i thyer…”

Në epilogun e romanit takimi midis Rrëfimtarit dhe personazhit realizohet në mënyrë eksplicite. Tanimë nuk ka më asnjë dyshim nga të dyja palët. Dialogu mes tyre është aq i natyrshëm sa duket sikur krijuesi i kësaj vepre po takohet me personazhin e tij “fëmijë” dhe po i shpjegon arsyet e gjithë këtij krijimi.

– Z. Trofta, – thashë unë, – unë jam shkrimtar dhe ju kam krijuar për t’ju përdorur në librat e mi.
– Më falni? – tha ai.
– Jam unë Krijuesi juaj, – thashë unë. – ju jeni mu në mes të një libri tani – afër fundit, në fakt.
– Hëm, – tha ai.
– A ka ndonjë pyetje që do të donit të më bënit?
– Më falni? – tha ai
– Ndihuni i lirë të më pyesni ç’të doni – për të shkuarën, për të ardhmen, – thashë unë…

Kemi një bashkëbisedim kaq të natyrshë dhe kaq të çlirët, sa të duket sikur edhe Rrëfimtari vetë ka qenë aty gjithë kohën, pa mbajtur asnjëlloj distance dhe duke qenë i përfshirë në të gjithë rrjedhën e ngjarjeve, pavarësisht se ai është krijuesi i vetë ngjarjes dhe rrëfimit.

1 komente në ““Mëngjes kampionësh” ose kur personazhi përballet me Rrëfimtarin”

  1. says:

    Gazeta Paloma është specializuar si duhet për këta rrjedha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje