Vendimi i BE për negociatat, Ruçi: Në 27 vjet s'kam parë mirëkuptim kaq të fuqishëm "pro shqiptar" sa sot

30 Qershor 2018, 12:06Politika TEMA

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka garantuar se BE nuk ka vënë kushte për Shqipërinë me qëllim hapjen e negociatave vitin që vjen.

Ruçi ka shpjeguar me hollësi vendimin e Bashkimit Europian duke treguar prespektivën e Tiranës Zyrtare.

Ai foli për ligje, njehsimi i të cilave është i nevojshëm dhe është ndjekur edhe nga vende të tjera si Kroacia.

“Në raportin e BE nuk ka kushte, por edhe kur të hapen negociatat përmenda një shifër, 684 ligje për Kroacinë që përbëjnë kushte, pra duhet të njëjësojmë legjislacionin.

 E kam ndjerë veten shumë mirë në këto 27 vjet, nuk kam parë mirëkuptim kaq të fuqishëm pro shqiptar nuk ishin pak, por 25.

Ashtu sikurse dhe tre vende me rezerva bënë të mundur që në fund të mos ishin antishqiptarë por të tregoheshin proshqiptarë.

Të gjithë shqiptarët dhe politikanët duhet të jenë të qartë për çdo, që lupa e BE nuk do na ndahet deri në momentin e fundit si neve ashtu edhe gjithë vendeve që aspirojnë aderimin në BE”, u shpreh Ruçi.

Fjala e plotë

Vendosa të zhvillojmë këtë bashkëbisedim për të shprehur vlerësimet dhe për të parashtruar sfidat e Kuvendit gjatë fazës përgatitore të hapjes së negociatave.

Mbledhja e Këshillit të Bashkimit Europian e datës 26 qershor, trajtoi çështjet që lidhen me politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe Procesin e Stabilizim Asociimit dhe vendosi hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë në qershor 2019. Ky qëndrim u miratua edhe nga Këshilli Europian i datës 28-29 qershor 2018.

Si Kryetar i Kuvendit, përgëzoj Qeverinë për suksesin e shumëpritur e të merituar dhe uroj të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen për këtë arritje të Shqipërisë sonë.

Një falenderim për të gjithë administratën që prej vitesh punon me përkushtim për realizimin e këtij objektivi kombëtar.

Mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë, që nga më të zellshmit e deri më skeptikët në mbështetje,  që kontribuan për vendimin historik që na afroi më tepër me familjen europiane. 

Falenderoj veçanërisht 11 europarlamentarët për Letrën e Hapur dërguar Presidentit të Këshillit Europian Z. Donald Tusk dhe Kryetarëve të Shteteve e Qeverive të Vendeve të BE-së në 26 qershor 2018.

Për të qenë korrekt me ju, po citoj disa prej rekomandimeve të Këshillit. Ndërkohë, vendimin e Këshillit e ka secili në dosje.

“Këshilli u shpreh dakord t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe rekomandimit të Komisionit Europian, duke përcaktuar rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarsimit në qershor 2019.

Këshilli mori parasysh rekomandimin e Komisionit për të filluar punën përgatitore për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.

Këshilli paraqet edhe argumentet mbi bazën e  të cilave mori këtë vendim. Po citoj:

“Këshilli vlerëson progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në pesë reformat kyçe: administratën publike, sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe të pronësisë.

Vettingu ka nisur të japë rezultatet e para të prekshme. Këshilli inkurajoi Shqipërinë të çojë më tej dhe me intensitet progresin e arritur në reformën në drejtësi, për të rritur pavarësinë, llogaridhënien, profesionalizmin dhe eficiencën e sistemit gjyqësor.

Këshilli vlerëson përpjekjet për të zhvilluar hetime pro-aktive dhe dhënë dënime përfundimtare në kuadrin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe inkurajon Shqipërinë të vazhdojë dhe thellojë përpjekjet për të arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në luftën për kufizimin e kultivimit e trafikimit të drogës”.

Këshilli theksoi se vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor 2019 do t’i nënshtrohet plotësimit të procedurave parlamentare kombëtare të vendeve anëtare dhe miratimit nga Këshilli Europian në 28-29 qershor 2018.

Pse e mori Këshilli këtë vendim?

Këshilli e mori këtë vendim sepse disa vende anëtare, si Gjermania, kanë detyrimin ligjor të marrin edhe opinionin e parlamenteve kombëtare për çështjen e zgjerimit dhe hapjen e negociatave.

Këto hapa do të pasohen nga Konferenca e parë Ndërqeveritare në fund të vitit 2019.

A ka pasur precedentë të mëparshëm kur Këshilli ka marrë vendime të ngjashme si vendimi për Shqipërinë?

Një procedurë e tillë është ndjekur edhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi dhe Serbinë.

Si duhet ta lexojmë këtë vendim të Këshillit Europian?

Qëndrimin e Këshillit secili mund ta interpretojë si të dëshirojë, për partinë e tij, për strukturën e ambicjeve të tij. Por të gjithë kemi përgjegjësinë politike e kombëtare ta lexojmë qëndrimin e Këshillit në emër dhe për Shqipërinë.

Lexuar në mënyrë realiste dhe neutrale, vendimi për të hapur negociatat në qershor të vitit 2019 është një arritje për Shqipërinë.

Të kesh një datë konkrete për hapjen e negociatave dhe të fillosh procesin përgatitor për hapjen e tyre, është arritja më e rëndësishme në rrugën tonë drejt Europës.

Kur të gjitha emocionet do të fashiten, kur të gjitha akuzat në emër të luftës politike do të ftohen, kur do të çlirohemi nga dallditë tona,  ajo që do të mbetet është data e negociatave, që shkëlqen në kalendarin europian: qershori 2019. 

Tashmë nuk kemi thjesht një ambicje e proces, por një kalendar të detajuar të bashkëpunimit me Bashkimin Europian dhe hapave të ndërmjetëm deri në qershor 2019.

Ky vendim i Këshillit është përshëndetur nga ata që e morën, si edhe nga mjaft përfaqësues të vendeve anëtare.

“Tani kemi një kalendar të qartë dhe një datë për Konferencën Ndërqeveritare”, deklaroi Ambasadorja Vllahutin.

“Përgëzojmë Shqipërinë për vendimin pozitiv për hapjen e negociatave” vjen mesazhi nga Ambasada e SHBA.

“Përshëndes rekomandimin për hapjen e rrugës së negociatave me Shqipërinë”,  është shprehur eurodeputeti, miku i Shqipërisë, Kukan.

“Urime Shqipërisë për caktimin e  datës së hapjes së negociatave”, shkruan Flekenstein.

Kur flasin Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë e tjera perëndimore, mirë do bënim jo të grindemi, por t’i dëgjojmë e bëjmë detyrat e shtëpisë.  

Negociatat mund të ishin hapur edhe sot, por nëse ne do të vazhdojmë të jemi të qorollepsur nga pasioni e interesat politike, hapja e tyre shvlerësohet. Negiociatat janë të garantuara, kur ne,  shqiptarët, sillemi si palë e denjë negociatore.

Deri në qershor 2019 jemi në testim të gjithë, si qeveria, edhe opozita.

Nuk do të dëshiroja që në këtë ditë të shënuar, që do të mbetet në kujtesën kolektive të shqiptarëve, të kritikoja opozitën e vendit tim.

Ndër 27 qeveritë e vendeve anëtarë të BE, 15 prej tyre drejtohen nga parti të djathta ose të qendrës së djathtë, në disa të tjera e djathta është pjesë e qeverisjes. E pra, të djathtët europianë i njohin arritjet dhe e bëjnë për Shqipërinë zemrën më të madhe sesa opozita! 

Suksesi i kujt është vendimi i Këshillit Europian?

Ky vendim nuk është suksesi vetëm i Qeverisë, as i shumicës qeverisëse.

Kjo arritje është meritë e të gjitha qeverive dhe opozitave, partive politike, udhëheqësve të tyre, grupeve parlamentare dhe të gjithë deputetëve që kanë kontribuar në realizimin e aspiratës europiane të Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit.

Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë shpreh vlerësimin e mirënjohjen për kontributin europaist të të gjithë paraardhësve që kanë shërbyer në këtë detyrë fisnike: Kastriot Islami, Pjetër Arbnori,  Skënder Gjinushi, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli dhe Ilir Meta.

Kjo arritje është meritë edhe juaja, të dashur miq gazetare dhe gazetarë, që kini nxitur klasën politike të Shqipërisë t’i qëndrojë besnike ëndrës europiane të shqiptarëve.

Meritë e rinisë dhe studentëve, nxitësve të ndryshimeve demokratike me vizionin “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”.

Meritë e emigrantëve shqiptarë, që kanë arritur në Europë para nesh dhe jetojnë e kontribojnë si qytetarë europianë.

Meritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët si me mbështetjen, ashtu edhe me kundërshtimin ndaj qeverive dhe opozitave, na kanë bërë më të përgjegjshëm për fatet e Shqipërisë dhe më llogaridhënës para tyre.

Çfarë i kërkon Këshilli Europian Shqipërisë deri në hapjen e negociatave?

Po përmend kërkesat më të rëndësishme:

Këshilli ftoi Komisionin Europian të monitorojë përpjekjet e Shqipërisë për realizimin e reformave dhe të vlerësojë progresin e arritur në raportin vjetor të tij.

Pra, Këshilli i kërkon Shqipërisë, jo vetëm qeverisë së saj. Shqipëria është edhe opozita, edhe qytetarët, edhe media. Prandaj, në vend që të vazhdojmë zakonin tonë të vjetër të grindjes në të mirë e në të keq, ftoj të nxjerrim të gjithë përgjegjësitë përkatëse.

Siç kam pasur rast të theksoj para jush, Kuvendi ka luajtur një rol thelbësor në procesin e integrimit europian, ka garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit.

Kuvendi ka ngritur mekanizmat për ushtrimin e përgjegjësive të tij integruese, si Komisioni i Integrimit Europian, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian dhe Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit.

Kontributi i Kuvendit në proceset integruese  është jetërsuar nëpërmjet  miratimit të reformave të domosdoshme si kërkesa  dhe si  standarde  për anëtarësimin.

Kuvendi ka realizuar reformën në drejtësi. Shtyllat kryesore kanë qenë vetting-u, lufta kundër korrupsionit dhe ngritja e institucioneve të reja të pavarura për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe hetimin e akuzave për funksionarë të lartë publikë.

Kuvendi, ka miratuar me unanimitet amendimet kushtetuese, në kuadër të reformën në drejtësi, ka miratuar 7 ligjet prioritare që shoqërojnë amendimet Kushtetuese, përfshirë ligjin për vetting-un, ka miratuar 16 ligje nga paketa e 27 projektligjeve të reformës në drejtësi si dhe ka vijuar punën për hartimin e projektligjeve të tjera të kësaj pakete ligjore. 

Kuvendi ka miratuar me konsensus të gjerë anëtarët e tre institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, duke përmbushur një nga detyrimet kryesore që Shqipëria ka në këtë fazë të procesit të integrimit në BE në kuadër të prioritetit 2 “reforma e gjyqësorit”.

Gjithashtu Kuvendi në datën 5 mars 2018 miratoi ligjin për vetting-un e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Kuvendi ka zgjedhur 5 anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe 5 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që vijnë nga trupa e jogjyqtarëve dhe e joprokurorëve, duke përmbushur kërkesat e BE-së për krijimin e strukturave të pavarura gjyqësore në linjë me reformën kushtetuese.  

Kuvendi ka miratuar në datën 5 prill 2018 Kodin e Sjelljes së Deputetëve, duke përmbushur një rekomandim të Komisionit Europian për Kuvendin.

Roli legjislativ i Kuvendit është forcuar dukshëm përmes shtimit të nismave ligjore e amendamenteve të propozuara drejtpërdrejt nga deputetët.

Transparenca legjislative dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile është rritur.

Kuvendi  ka hartuar një Plan Veprimi me 46 masa me qëllim zbatimin e rekomandimeve dhe përmirësimin e përformancës së tij, sipas standardeve më të mira demokratike.

Prej vitit 2017, Kuvendi ka forcuar bashkëpunimin me Parlamentin Europian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së me qëllim promovimin e procesit të integrimit europian.

Kuvendi përmes forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe diplomacisë aktive parlamentare ka informuar parlamentarët europianë dhe partnerët e tjerë të BE-së mbi reformat e ndërmarra dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në BE, duke rritur mbështetjen në këtë proces.

Pas rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave, Kuvendi, nëpërmjet Rezolutës së 24 majit 2018, shprehu vullnetin e plotë për të ecur në rrugën e reformave në frymën e mirëkuptimit ndërpartiak dhe në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile.

Tashmë Kuvendi i Shqipërisë ndodhet para sfidave të reja.

Përmbushja e rekomandimeve të Këshillit Evropian përbën përparësinë kryesore të Kuvendit dhe Qeverisë.

Kuvendi po përdor çdo instrument të diplomacisë parlamentare në funksion të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Deri në qershor 2019 Kuvendi do të ndërmarrë një ofensivë të diplomacisë parlamentare me vendet anëtare për të bërë të munduar që arritjet e Shqipërisë të njihen me realizëm e në detaje.

Puna e Kuvendit do të përqëndrohet në masat e mëposhtëme:

10.Garantimi i transparencës parlamentare përmes përfshirjes së të gjithë aktorëve joparlamentar në proceset legjislative;

11.Fuqizimi i kapaciteteve institucionale dhe modernizimi i shërbimeve të administratës së Kuvendit;

12.Forcimi i bashkëpunimit me Parlamentin Europian dhe parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të BE-së.  ;

Së fundi,  por jo për nga rëndësia, forcimi i dialogut politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm ndërmjet mazhorancës parlamentare dhe opozitës do të jetë një nga prioritetet kryesore të Kuvendit gjatë periudhes deri në hapjen e negociatave të anëtarsimit në BE si dhe pas hapjes së tyre.

Përvoja e parlamentit kroat, i cili të gjitha ligjet me përafrim (683 ligje), vendimet e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe rekomandimet e përbashkëta të Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Kroaci, i ka miratuar me konsensus, është një standard që duhet të ndiqet nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ju faleminderit.

4 komente në “Vendimi i BE për negociatat, Ruçi: Në 27 vjet s’kam parë mirëkuptim kaq të fuqishëm “pro shqiptar” sa sot”

  1. Monda says:

    Doli fytyre qeni krimineli komunist ku eshte i dashur ne popull e zot i madh

  2. BE 2025 says:

    Bravo, gjithmone ta kthejme ne force dhimbjen se keshtu na ka mesuar Partia, O ryc. Sic, duket, ket radhe , se ka fajin armiku i jashtem..sikur ta thoshje njahere e burr tepelene.

  3. Sit back and relaks■●▪♧♧%^* says:

    Ashtu eshte, qe nga kongresi i 81 partive ne Moske kjo eshte hera e pare qe na e ngulin me kaq dashuri dhe qetesi.

  4. Sit back and relaks■●▪♧♧%^* says:

    Ashtu eshte, qe nga kongresi i 81 partive ne Moske kjo eshte hera e pare qe na e ngulin me kaq dashuri dhe qetesi. .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje