Një ish-trajner i Dinamos në sezo nin 2008-2009 drejton sot skuadrën që u kualifikua dy ditë më parë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Zllatko Daliç është njeriu i momentit në Botërorin e Rusisë, por edhe në Shqipëri ka jo pak tifozë. Më shumë se kushdo, trajnerin 51-vjeçar e njeh Besnik Sulaj.
Biznesmeni ballshiot, që arriti të fitonte tri tituj kampion në krye të klubit kryeqytetas, pranon të rrëfejë ekskluzivisht për “Panorama Sport” historinë e ardhjes së kroatit në verën e vitit 2008. Oferta për të drejtuar Dinamon, largimi pas vetëm 7 muajsh dhe raportet miqësore që mbeten me trajnerin e Kroacisë edhe pas afro 10 vitesh nga eksperienca e tij me skuadrën blu. Sulaj vijon të ketë kontakte me Daliç dhe jo më larg se tri ditë më parë ka biseduar me trajnerin e Kroacisë.
“Më ka ftuar disa herë, por unë i kam rënë në qafë për të më gjetur bileta për miqtë e mi. Megjithatë, do të shkoj në Rusi nëse Kroacia e Daliç arrin në finale”, tregon Sulaj, i cili në intervistën për gazetën flet edhe për Dinamon.Zoti Sulaj, si e keni njohur Zllatko Daliç?
Ka qenë viti 2005, kur Dinamo u përball me kroatët e Varteks. Me sa mbaj mend, ndeshja ka qenë e vlefshme për Kupën Intertoto. Në të parën në Tiranë fituam 2-1, ndërsa në kthim na mundën 4-1 dhe u eliminuam. Pra, impakti i parë për Daliç ka qenë pikërisht kur na mundi si trajner i Varteksit. Unë kisha një eksperiencë jo të vogël nën drejtimin e klubit dhe nga ajo që vura te Daliç ishte mënyra sesi e vendoste skuadrën në fushë. Më pëlqeu jashtë mase si trajner.
Në ato shtatë muaj bashkëpunim, çfarë ju bëri më tepër përshtypje te Daliç?
Nuk duhet të harrojmë që me Daliç trajner fituam Superkupën e Shqipërisë ndaj Vllaznisë, duke i bërë një nisje të mirë sezonit. Një trajner model dhe mbi të gjitha një njeri i mrekullueshëm. Për fatin tonë të keq, në periudhën kur trajner ishte Daliç, na lindën problemet me kompleksin “Dinamo”, ku në atë periudhë qeveria donte t’ia kalonte fushat klubit shumësportësh.
Duke qenë se kishim probleme me ambientet stërvitore, për mua në atë moment ishte e pamundur të mbaja një trajner të nivelit të lartë me një kosto të madhe. Ka qenë shkurt i vitit 2009, kur nisën të na sulmonin për të na larguar nga ambientet.
Interesi ynë për vazhdimësinë nuk ishte edhe aq i madh. Ekipi nisi të bënte stërvitje i imponuar nga oraret që na vendoseshin, ndërkohë që në fushën ku duhet të përgatiteshin nisën edhe gara me kuaj.
Me presidentat e kampionatit shqiptar sikur te vije Murinjo trainer do ta perzene per nje muaj.