Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, është drejt shkarkimit, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti probleme të rënda në të paktën dy nga tri kriteret e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Përveçse ka fshehur një dënim në Itali dhe ka probleme me pasurinë, Thanza rezulton i papërshtatshëm për detyrën, pasi ka qenë nën hetim dhe ka pasur edhe kontakte dhe me persona të botës së krimit.
Ai ka qenë nën hetim për korrupsion në vitin 2016 dhe ka pasur lidhje me një person të shpallur në kërkim, i cili rezulton se ka qenë regjistrues i Shkodrës, shtetasi SH.B..
Thanza është takuar me bashkëshorten e regjistruesit në Tiranë dhe është filmuar të shkëmbejë para, sipas KPK-së.
Sipas KPK-së, ekziston dhe një kontratë dhurimi me datë 22 prill 2017, ku rezulton se shoqëria C…SHPK, i ka dhuruar gjyqtarit një garazh në qytetin e Shkodrës.
Kjo shoqëri ka qenë në një çështje gjyqësore në vitin 2017, ku relator i dosjes ka qenë pikërisht Thanza.
Kjo çështje është mbyllur më 6 mars 2018.
Prokuroria e Përgjithshme ndërkohë ka nisur hetimin kryesisht për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, pasi kishte gënjyer për dënimin në Itali.
Gjyqtari do të hetohet për falsifikim të formularëve të vetëdeklarimit.
Prokuroria do te sekuestrojë materiale nga KPK, të cilat më pas do t’i kalojnë Gjykatës së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Thanza rezulton i dënuar për vjedhje në bashkëpunim në Itali.
Ai ka pranuar përpara KPK dënimin në Itali, por ai ka thënë se e ka pranuar dënimin për të shpëtuar jetën e nipit të tij.
Thanza deklaroi se e ka marrë përsipër një dënim të kunatës e cila kishte kryer një vjedhje vetëm që nipi i tij 9-vjeçar të kurohej në Itali, ndërsa ka shpërthyer në lot para trupës gjykuese.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 1999, kur Thanza ishte dhe gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës.
Ky informacion që do t’i kushtonte karrierën, as nuk është deklaruar nga vetë gjyqtari, as nuk është konstatuar nga asnjë institucion shqiptar që kryente verifikimin për pastërtinë e figurës dhe dekriminalizimin.
Madje kjo gjë do të vazhdonte të qëndronte e fshehur në rast se ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk do ta kishin zbuluar dhe kjo e dhënë në kufijtë e një skandali nuk do të deklarohej në seancën dëgjimore të kësaj të marte për anëtarin e Gjykatës së Lartë.
(TemA)
Ky qenka per burg jo per gjykates!
Berisha ka patur dijeni per denimin e Thanzes!! Si sigurims-punist-germues me eksperience ka ngritur kurthin dhe e ka rekrutuar me “material detyrues” per t`a emruar me pas ne kupolen e drejtesise per t`i sherbyer si nje zagar i sherben gjahtarit sa heri i nevojitet…..