Nga Enver Robelli
Familjarët e zonjës Sadije Agani njoftuan sot se u shua nëna dhe gjyshja e tyre.
Në kujtesën e opinionit kosovar, atij opinioni që ende reflekton, ajo do të ruhet si një grua që me dinjitet barti dhimbjen e madhe për tragjedinë familjare – vrasjen e bashkëshortit të saj, Fehmi Aganit, nga forcat e pushtetit të Serbisë në maj të vitit 1999.
Kur u rrëmbye profesor Agani, një oficer i armatës serbe tha: «Shih! Shih kë e kemi ndalur: njeriun që na e solli NATO-n mbi kokë».
Në prag të bombardimeve profesor Agani me kthjelltësinë e tij politike kishte vepruar në tri fronte.
Së pari: brenda LDK-së angazhohej për një sinjal më të qartë përkrahës ndaj kryengritjes së armatosur, së dyti: ishte ndër të rrallët nga krerët e LDK-së që mbante kontakte me prijësit e UÇK-së, së treti: ai ishte një partner i rëndësishëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe në momentet vendimtare bllokoi përpjekjen kriminale të një biznesmeni me lidhje në Beograd dhe Moskë për të shmangur ndërhyrjen perëndimore në çështjen e Kosovës.
Fakti se në vitin 2018 figura të tilla pa kredibilitet politik e kombëtar luajnë rol në skenën e zymtë politike të Kosovës, është një goditje e rëndë për trashëgiminë e profesor Aganit.
Zonja Agani ishte më shumë se bashkëshortja e një lideri politik të Kosovës. Me krenarinë e saj të heshtur ajo na dëshmoi se liria ka vlera të tjera që janë e kundërta e ngarendjes pas pasurisë, meritave të pamerituara, posteve, manisë për grabitje, siç kanë bërë jo pak «çlirimtarë» pas çlirimit të Kosovës nga NATO-ja.
Sadije Agani ishte përherë modeste në rrëfimet dhe paraqitjet e saj publike, por përherë e gjallë, e besueshme dhe e bindshme. Këtë e ka dëshmuar në shumë intervista, të cilat opinioni i gjerë kosovar nuk i ka dëgjuar me kujdesin e duhur, sepse në viset tona më shumë dëgjohen ata që bëjnë zhurmë.
Ajo nuk kërkoi që sipas meritës së bashkëshortit asaj t’i ndahet diçka nga pasuria e Kosovës, të emërohet një shesh në emrin e Fehmi Aganit apo ndonjë institut. Shoqëritë e pjekura duhet të dinë vetë t’i dallojnë vlerat nga jovlerat. Nëse nuk dinë, atëherë do të vazhdojnë të jetojnë me rrëfime se cili «komandant» e zaptoi filan dyqanin, ku hapi gurthyes dhe cilën ndërmarrje e privatizoi me kërcënime.
Përballë kësaj pamjeje të mërzitshme Kosova pati shembullin e zonjës Sadije Agani. Sot dhe përherë shoqëria kosovare duhet t’i jetë mirënjohëse asaj për gjurmët që la dhe ta kujtojë me respekt të madh.
Respekt per prof.Fehmi Aganin. Luftoi per kosove e shqiperine por fatkeqesisht si shume intelktuale te tjere kishin dosjet ne sigurimn shqiptar si bashkepunetor , kur ne fakt ishin patriote . Kur ja çoi sala me gazideden serbve(dosje qe nuk ekzistojne me ne shqiperi) i eliminuan ate dhe dhjetera te tjere … ehh sa ka bere kjo demo…karcia
Rrespekte per kte zonje dhe te shoqin, dhe neveri pa fund per kta zagaret qe e rropen Kosoven me keq se Serbet.