"Perez ishte arsyeja pse Ronaldo u largua nga Reali"

29 Korrik 2018, 17:31Sport TEMA

Prederag Mijatovic është një emër i madh në Madrid, pasi do të mbahet mend gjithmonë si njeriu që solli pas 32 vitesh trofeun e Champions League në klub, me golin e realizuar në finalen e vitit 1998 kundër Juventusit.

Si njohës i mirë i Realit ai është pyetur nga gazeta portugeze “A Bola” në lidhje me largimin e Cristiano Ronaldos.

Sipas malaziasit ka qenë marrëdhënia e keqe mes tij dhe Florentino Perez që e bëri të merrte vendimin për të lënë Madridin dhe për të pranuar ofertën e Juventusit.

 

“Nuk mendoj se ishte një vendim i marrë shpejt e shpejt, i pamenduar mirë”, u shpreh Mijatovic, i cili te Reali ka mbajtur edhe pozicionin e drejtorit sportiv. “Me siguri që Ronaldo vendosi pas një procesi të gjatë. i është dashur kohë që të vendosë në këtë mënyrë. Mendoj që marrëdhënia jo shumë e ngrohtë ai Cristiano kishte me presidentin ka qenë një arsye më shumë për t’u larguar. Nuk e di me saktësi çfarë ka ndodhur mes tyre, por kur e sheh nga jashtë nuk ka dyshime që marrëdhënia e tyre ka qenë shumë e vështirë”.

Në fakt shumë është spekuluar mbi arsyet e largimit të Ronaldos nga Madridi, pas dhjetë vitesh në “Bernabeu” ku është konsideruar si hero i vërtetë, por mungesa e dashurisë që presidenti ka shfaqur si dhe braktisja në çështjen delikate të evazionit fiskal duket se kanë “mbushur kupën”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje