REPORTAZHI: Armiqësia e fshatarit

29 Korrik 2018, 15:20Sociale TEMA

Nga Andon Andoni

Fshatarët kanë një lloj “armiqësie” ndaj botës tjetër në këtë stinë të gatitjes dhe vjeljes së prodhimeve për në treg. Kur ne, pjesa e tjetër e shoqërisë, rekemi të nxitojmë pranë detit dhe të relaksohemi pas ekraneve televizive të sportit dhe show-t, atyre, ju zien koka prej punëve të shumta. E ndërsa ne në qytet na kënaq, në verë, freskia e një shiu të rrëmbyer përzier me breshër, atyre ja u merr prodhimin nga dora. Edhe pse kanë lidhje të forta me qytetin dhe metropolin, përmes fëmijëve studentë, motra e vëllezërve  të larguar prej kohësh nga fshati, ata mbeten pjesa e më veçuar e shoqërisë sidomos nga përkujdesja dhe vëmendja e shtetit. Të lënë në periferi të vëmendjes qeveritare, prej tri dekadash, mentalitetit i tyre, nuk është se ka ndryshuar shumë nga e shkuara, kur “fshati mbante me bukë qytetin”.  Aq më shumë, kur në ekonominë e tregut, balanca midis punës që kryejnë dhe fitimit prej produkteve bujqësore e blegtorale, është ku e ku e përmbysur në raport me fushat e tjera të veprimtarisë shoqërore. Fare thjesht të thonë; na e blini qumështin 28 lekë litrin, dhe na shisni ujë të pijshëm, tri herë më shtrenjtë!?

Në një bisedë disa ditë më parë me ish ministrin e bujqësisë, Agron Duka, mësova se diçka është bërë për fshatin dhe bujqësinë;në qeverisjen e të djathtës; rrugë rurale dhe infrastruktura në kultivimin e drurëve frutorë arrorë, subvencione për plehra dhe farëra, etj, në këto dy mandate të së majtës; kanë lëvizur në grante për bujqësinë dhe me nismën e “100 fshatrat turistikë”, por përsëri është fare pak kjo vëmendje e shtetit ndaj tyre. Dhe pikërisht këtu zë fill dhe “armiqësia” e shfaqur e fshatarit.

Erdhët, o qytetarë të rrëmbeni ndonjë gjë nga fshati? U bënë fasulet, misrat! Hajdeni, hajdeni, se ka balashi dhjamë?! Kë,kë,kë, Të qeshura  me ironi, të presin sa të shkelësh ne fshat. Edhe pse me qytetin e lidhin njëmijë fije të ndërsjella si shkollat, spitalet, administrata, ata sërish nuk mund të mos e shfaqin murrëtimin, xhelozinë  dhe inatin ndaj qytetarit, që në vetëdijen e tyre përkthehet, kontakt me shtetin, me superstrukturën e tij, që e ka lënë mjeran tash e tridhjetvite. As më shumë e as më pak, të kujton sentencën e një filmi shqiptar, “ mishin, qumështin dhe grurin ja duani fshatit, dhëndurët nuk ja pëlqeni”. A thua se kjo është vetëm një ndjesi, apo me të drejtë, lënia pas dore i ka bërë deri dhe grindavecë dhe gërnjarë!?

Bëni qejf ju qytetarët, bëni! Ne na zien koka. S’kam ujë të vadit fasulet. U dogjën. Një kanal që kishte fshati u këput në dimër. Askush nuk çan kokën. Kryeplaku fle. Bashkia, ca më keq!  Po më thosh një miku im.

Kryeplaku aty pranë, qesh pa të keq.

Fol, fol se të merr gazeta, nesër.

Ku ka gazetë që t’ia qajnë hallin fshatarit, gjëkundi…

I kishte dalë në shteg. Tani thumbonte edhe gazetarinë time. E shihja atë fshatar të gjatë, thatim e mjekër parruar të më qëndronte përballë. Punëtor i palodhur ai mbeti në fshat, kur thuajse tërë vërsnikët e tjerë morën udhët e botës. Mbante erë djersë dhe jonxhë e tharë.

Më pyeti më i zbutur,ç ‘ke dalë?

Ndoqa një konferencë në Korçë për pyjet dhe gjelbërimin, një fond prej nja dhjetë milion euro që do lëvrohet nga një koalicion “Miqtë e Korçës”. Më dëgjonte si veresie, pastaj pa më lënë të mbaroj shtoi.

Hë,  për pyjet, për gjelbërimin, pa ne fshatarët le të ngordhim në punë dhe gjë hiç… U nis të ikte.

Për ne s’kujtohet njeri.. Mirë bëjnë për pyjet, se edhe ajo duhet! Ja,  vjet bënë ca lek duke pastruar procesaren e bredhave, po për fshatarin e shkretë dhe bujqësinë, ëhë, të ardhtë keq….

Nuk fola. Ç ‘të thoja. Inati dhe armiqësia e fshatarit me shtetin e tij dhe me shoqërinë është i dukshëm. Kushdo që ka të afërm, bujq dhe fshatarë që punojnë arave dhe mbarështojnë ndonjë bagëti, e ndjen në asht këtë armiqësi. Teksa i shihja të rropateshin nëpër ara e të mbjella, ku edhe pas tridhjetë vjetëve, punët i bënin me krahë dhe me ndihmën e gomarit, dhe fare pak me mekanikë, mendoja se kjo lloj “armiqësie” e mbarë fshatarëve shqiptarë ishte tejet e përligjur.

Tani rreth meje, njeriut të Tiranës, ishin mbledhur dhe të tjerë.

Lërini tokat me qera,- mu duk sikur do t’iu mbaja anën, me këtë që iu thashë. Kam dëgjuar se vijnë dhe i kërkojnë.

Po, por i duan parcela me mbi  50 hektarë, -ma kthyen në çast.- Si mundet? Ja, kam unë 20 dynymë, por i kam në 16 copa që nga Banjarët në fillim të fshatit dhe gjet në mal… Ja kështu na la ligji 7501 dhe mbetmë për tridhjetë vjet po kështu…Copë copë. As kush nuk kujtohet nga shteti të verë dorë ta rregullojë këtë gjë, ç’më thua…! S ‘përdorim dot, as mekanikë, as plehra, as bonifikime…

Një e vërtetë e hidhur. Mund të ishin ofruar zgjidhje me kohë, dhe për t’i bërë bashkë fermerët e një fshati, nuk ishte dhe nuk do të jete kurrë e mundur pa ndërhyrjen e organizmave shtetërorë lokalë apo qendrorë qofshin.

Ku dinë qeveritarët, se ku i dhemb fshatit? E kane hedhur pas krahëve…s’bënë një emision në televizor për hallet e fshatit. Një të vetëm në këto njëzet vjet…Nëntë  miliardë lek do harxhojnë tashi për ujësjellësin!…Nëntëmijlard!?. Na thirrën  ne kryepleqve. Na i ndani për frymë, se na bien  goxha, i thashë kryetari të bashkisë, se kemi vrima më të mëdha se uji për të mbyllur!… kushedi sa do futën në xhep…Nëntë miliardë, e di ç’i thonë…?!

Po, ja plehrat i hidhni në lumë…

Nga inati i hedhim, që t’ju vijnë juve gjer në det!. Shikoi  fuçitë që kanë venë bashkia, si për të tallur…I I përdorëm ca kohë, po kur u lëshuan qentë e çobanit dhe lopët dhe i rrokullisën nëpër fshat…u qelb fshati. Ata të bashkisë i vunë, po për t’i mbledhur; njëherë në hënë vinin…

Kaloi dikush me pompë në shpinë..

Ç’farë spërkatin, thashë sa për bisedë, si një prej tyre, që merrja vesh nga punët e bujqësisë, e së paku, unë isha me hallet e tyre.

Tani nuk spërkatet gjë…mollët janë në të vjelë për një muaj…

Spërkatëm barin se na mbyti…s ‘dalëm dot prej gjarpërinjve…njëherë e një kohë e prisnim me prashitjen. I bënte mirë edhe tokës, por tani nuk prashit më njeri nën pemë!… S’ arrijmë dot…ditë e natë diell të bëhesh nuk arrin dot. Dhe ja kemi gjetur! E  djegim barin  e ugareve me herbicide!.

Na u lodh shpirti. As kush nuk i kthen sytë nga ne!… Patatet dhe qepët, e pe se ç’i bënë ata të Dvoranit vjet? Edhe ne mollët në lumë i hodhëm…Ca iu kanë  venë sëpatën…flenë  rehat do barem…

Godisja dheun nën këmbë i menduar.

Kam fëmijët për në shkollë sivjet. Dy binjakët…si shpie dot!  Nuk i ndjek dot!…Këtu shkolla po mbyllet…Po ikën njerëzia…t’i vëmë flakën dhe të shpëtojmë…Ja, sa të ikë dhe ky brezi i ynë, as ka për t’i rënë ndërmend njeriu për fshatin…Bah…me këtë nëpërkëmbje që na kanë bërë gjer më sot?!  Asnjë djalë e çupë nuk ri më në fshat! Me të drejtë! Ç’ ta mbyllën jetën këtu?… Për bukë; s’ vuan njeri sot.

Për turizëm…me lule dhe gjelbërim!?…I bukur është fshati, i bukur, po hajde provoje…vetëm kur kërkoni vota vini..ja, sikur kini ardhur prapë…dhe ne fshatarët  prapë ju japim vota! Ne duhemi marrë me dru!

Kjo fjali me vetë të përgjithësuar i vinte kapak të gjithave, por sidomos, inatit, dufit dhe “armiqësisë” së fshatarëve të mi, në këto ditë vere.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje