Sot shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore. Sipas UNICEF-it, 28% e personave të përfshirë në këtë trafik janë fëmijë. Në rajone si Afrika Subsahariane, Amerika Qendrore dhe Karaibet, kjo përqindje shkon respektivisht në 64 dhe 62%.
“Save the Children” thotë se në të gjithë botën janë 10 milionë fëmijë që bëhen pre e skllavërisë, shiten apo shfrytëzohen.
“Trafiku i qenieve njerëzore është një krim që ushqehet me pabarazinë, mungesën e stabilitetit dhe konfliktet. Falë këtyre të fundit, trafikantët nxjerrin përfitime nga shpresa dhe dëshpërimi i njerëzve”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Fenomeni është i pranishëm në të gjitha vendet, si ato të origjinës, edhe në ato të tranzitit apo në destinacion, ku fëmijët preken nga forma të rënda të shfrytëzimit, që nga puna e detyruar, skllavëria e deri te prostitucioni.
Numrin më të madh të tyre e përbëjnë minorenët e pashoqëruar. Sipas raportit “Skllevërit e vegjël të padukshëm 2018”, hartuar nga Save the Children në Itali, vetëm në vitin 2016, rreth 10 milionë fëmijë dhe adoleshentë në të gjithë botën, janë bërë pre e skllavërisë, janë shitur dhe shfrytëzuar fizikisht e seksualisht për qëllime përfitimi. Ky numër i korrespondon 1/4 –s së totalit prej 40 milionë fëmijësh dhe adoleshentësh që ndodhen në këtë gjendje në rang botëror.
Seks për të mbijetuar
Raporti jep të dhëna alarmante mbi atë që quhet “seksi për mbijetesë”. Sipas “Save the Children”, në 2016-n, rreth 1 milion minorenë janë bërë viktima të shfrytëzimit seksual. Të gjendur pa para në rrugën drejt destinacionit, emigrantët minorenë shpesh detyrohen të prostituojnë në mënyrë që t’u bëhet i mundur kalimi i kufijve.
Vetëm në Itali, gjatë periudhës janar 2017 – mars 2018, “Save the Children” ka kontaktuar 1904 persona që e kanë pasur një përvojë të tillë, mes të cilëve 160 minorenë.
Rreziku që vjen nga rrjeti
Nuk janë konfliktet e armatosura dhe krizat humanitare shkaqet e vetme që çojnë drejt shfrytëzimit të fëmijëve. Përdorimi i pakontrolluar i internetit është një tjetër rrezik. Gjithnjë e më shumë trafikantë të qenieve njerëzore i drejtohen internetit për të arritur te “klientët” e tyre, qofshin këta edhe fëmijë.
Sipas “Save the Children”, janë shtuar aplikacionet deh dhomat e çatit që përdoren për të shfrytëzuar dhe abuzuar me minorenët dhe të rinjtë, të cilët përbëjnë një pjesë të madhe të përdoruesve të rrjetit.(TemA TV)