Ndarja nga jeta e Hajdaragës, masazhi i PD: Humbëm një kundërshtar të denjë politik

31 Korrik 2018, 00:03Sociale TEMA

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe nënkryetari i Partisë Socialiste Luan Hajdaraga u nda nga jeta sot në moshën 69-vjeçare.

Personalitete të fushave të ndryshme dhanë mesazhe ngushëlluese për familjen e profesorit socialist.

Edhe Partia Demokratike ka shpërndarë një mesazh ngushëllimi për familjen e Hajdaragës, teksa thekson se “humbën një kundërshtar të denjë politik”.

“Si nënkryetar i PS dhe më pas si Ministër i Mbrojtjes apo zëvendësministër i jashtëm, Profesori i njohur i psikologjisë dha kontribut në normalizimin e jetës politike në vend, në zbatimin e një diplomacie pa ndikime partiake dhe mori pjesë aktive në aksionin mbarëkombëtar për zgjidhjen e krizës së të shpërngulurve shqiptarë të Kosovës”, thuhet në mesazhin e selisë blu.

Mesazhi i plotë i PD:

Partia Demokratike shpreh ngushëllimet e saj më të thella për ndarjen nga jeta të Luan Hajdaragës, protagonist i zhvillimeve të së majtës shqiptare gjatë 28 viteve të fundit.

Hajdaraga ishte një kontribues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste.

Si nënkryetar i PS dhe më pas si Ministër i Mbrojtjes apo zëvendësministër i jashtëm, Profesori i njohur i psikologjisë dha kontribut në normalizimin e jetës politike në vend, në zbatimin e një diplomacie pa ndikime partiake dhe mori pjesë aktive në aksionin mbarëkombëtar për zgjidhjen e krizës së të shpërngulurve shqiptarë të Kosovës.

Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi njeriun e saj më të shtrenjtë, Partia Socialiste njërin nga ithtarët e evropianizimit të saj, kurse Partia Demokratike një kundërshtar të denjë politik.

1 komente në “Ndarja nga jeta e Hajdaragës, masazhi i PD: Humbëm një kundërshtar të denjë politik”

  1. fabi says:

    No good! Kur te lavderon PD-ja! Partia e Delinkuentëve. Duhet te kete diçka qe s’shkon me Hajdaragën!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje