Në orën 19:45, Laçi dhe Skënderbeu do të provojnë forcën e tyre në ndeshjen e parë zyrtare për sezonin e ri, në kuadër të finales së Superkupës së Shqipërisë.
Kurbinasit, vijnë në këtë takim më të përgatitur, duke qenë se kanë luajtur edhe 4 takime në Ligën e Europës përballë Anorthosis dhe Moldes, ndërkohë që Skënderbeu është mjaftuar me disa ndeshje miqësore.
Si Skënderbeu, ashtu edhe Laçi do të luajnë ndeshjen e tyre të parë zyrtare me trajnerët e ri dhe Orges Shehi në krye të korçarëve e Artna Mërgjyshi në krye të kurbinasve, natyrisht do të duan që ta nisin sezonin e ri me trofe, gjë e cila do të rriste më shumë besimin në vete dhe natyrisht moralin.
Në të kaluarën e tyre, Laçi dhe Skënderbeu janë përballur në total 44 herë ndaj njëri-tjetrit, ndërkohë që kjo e sotmja, do të jetë përballja e 45-të.
Korçarët kryesojnë bindshëm, duke qenë se kanë arritur të fitojnë plot 30 takime, ndërkohë që vetëm 10 janë fituar nga bardhezinjtë e Laçit ndërsa 4 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Finalja e parë e Superkupës mes Laçit dhe Skënderbeut është luajtur në vitin 2013, aty ku Skënderbeu arriti të triumfonte me anë të penalltive, ndërkohë që në vitin 2015, ka qenë Laçi skuadra që arriti të fitonte me penallti pas rezultatit 2-2 kjo është finalja e tretë e Superkupës që diskutohet mes Laçit dhe Skënderbeut.
Sa i përket golave të shënuar, Skënderbeu numëron plot 82 gola, kundrejt 37 golave të Laçit. Takimi i fundit mes Skënderbut dhe Laçit, ishte vetëm pak muaj më parë, në finalen e Kupës së Shqipërisë ku korçarët arritën të fitonin mes polemikave me rezultatin e ngushtë 1-0.
Fitorja më e thellë e Skënderbeut ndaj Laçit, daton më 4 majit të vitit 2016, aty ku korçarët turpëronin kurbinasit me shifrat 6-1, ndërsa fitorja më e thellë që Laçi ka arritur ndaj Skënderbeut, daton më 4 mars 2009 me rezultatin 4-1.