Panuçi deklaroi pak javë më parë se një nga gabimet e tij në karrierë si lojtar, ishte që la Realin e Madridit për Interin.
Por, me sa duket, jeta vazhdon t’i japë leksione të hidhura italianit edhe tani që është trajner.
E mbani mend kur trajneri i Kombëtares i përmendte Ansi Agollit se “do të ishte 38 vjeç kur të niste Europiani i ardhshëm”?
Epo ja që fjalët i merr era. Burime të sigurta pranë FSHF-së dhe stafit të Kombëtares bëjnë me dije për “Panorama Sport” se Panuçi ka ndërmend të rikthejë mbrojtësin e majtë në Kombëtare.
PRESIONI
Kristian Panuçi është vënë nën presion të madh pas paraqitjeve të Kombëtares në dy ndeshjet e fundit. Më shumë sesa humbjet, Shqipëria ka zhgënjyer me lojë.
Pikërisht për këtë motiv, por edhe prej një klime të acaruar brenda skuadrës, Panuçi ka vendosur të rikthejë Agollin në ekip. (PanoramaSport)