Bushati tregon qëndrimin e Shqipërisë mbi Kosovën: Statusi i saj çështje rajonale dhe europiane, jo dypalëshe

25 Gusht 2018, 10:38Politika TEMA

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka shprehur hapur dhe zyrtarisht qëndrimin e Shqipërisë ndaj debatit të fundit për korrigjim kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për “Panorama”, Bushati doli hapur kundër diskutimit të kufijve mes dy vendeve, duke u shprehur se statusi i Kosovës është çështje rajonale dhe europiane, dhe jo një çështje dypalëshe.

“Nuk ka arsye të predikojmë ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar, duke vendosur në kolateral arritjet e mundimshme e transformuese të rajonit tonë, të mundësuara pikërisht për shkak të këtij rendi ndërkombëtar. Ndaj nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën sesi do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo sesi do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo! Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe Pavarësia e saj, e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet, as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në ‘konflikte të ngrira’, si pasojë e tolerimit të ‘parimit të rivendosjes’, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Bushati.

Por, pyetjes së drejtpërdrejtë se cili është qëndrimi i Shqipërisë ndaj propozimit për shkëmbim të territoreve apo korrigjim kufijsh, ai i është përgjigjur kështu:

“Nuk do të ishte realiste, që për tema kaq të mprehta, qëndrimet zyrtare të bazoheshin mbi aludime, veprimet taktike apo deklarime testuese. Për Kosovën dhe statusin e shqiptarëve në rajon, Shqipëria ka një qëndrim të farkëtuar në vite, që buron prej detyrimeve kushtetuese dhe unitetit politik e ndërpartiak. Në këtë prizëm inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin shumetnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane”, vijoi shefi i diplomacisë shqiptare.

5 komente në “Bushati tregon qëndrimin e Shqipërisë mbi Kosovën: Statusi i saj çështje rajonale dhe europiane, jo dypalëshe”

  1. Viro says:

    Je ne rregull me ligjet, konceptet, termat dhe te drejten nderkombetare. Amatoret te meren me pazare.

  2. Qirje Dhimitrula says:

    Mire eshte mire….., per Camet duhet zgjidhje dy paleshe , se na merziten greket per genocidin ndaj cameve. Keshtu qe dy paleshit e mbyllin genocidin me ETNOCID. Per kosoven bytha jote pasi e dha shembullin dypalesh kerkon zgjidhje ne Grup…..

  3. Atdheu says:

    Sh drejt z. Bushati.

  4. shota says:

    Asnje cope toke kane marre sa ju ka dashur qefi tani duan edhe pasurin e nentokes se kosoves n.q.f.se thaçi e ben kete pune do te thote qe kote luftuan dhe ata qe rane per lirin e kosoves parlamenti i kosoves te mos i jape ok per te negocuar me ate te serbise do te jet nje tradheti e larte per aspiratat e shtetit kosovare dhe ne kete moment qeveria e tiranes te nderhyje te mos behet ajo qe nuk eshte per tu bere

  5. Alban says:

    Ky qendrim shteteror eshte klasik burokratik. Se pari, nga mosnjohja e histories se dy popujve te Ballkanit; se dyti, nga mungesa e deshires qe territoret e banuara ne shumice absolute nga shqiptaret ne Kosove per t’u bashkuar me shtetin ame-Shqiperine. Kufijte e Balllkanit jane vendosur nga KONFERENCA e AMBASADOREVE TE FUQIVE TE MEDHA EUROPIANE TE KOHES , ne vitin 1913, kur Serbia, Mali i Zi dhe Greqia ishin fituese te Lufterave Ballkanike 1912-1913 dhe u zgjeruan ne kurriz te 24 mije km. katrore te trojeve shqiptare. Keto kufij nuk mund te korigjohen pa nje KONFERENCE TE DYTE TE FUQIVE TE MEDHA TE EUROPES, tashme te perfshira ne BE. Ndersa korigjimi I kufijve midis Serbise dhe ish-krahines autonome te saj-Kosoves nuk ka te beje me “predikimin e nje rendi te ri nderkombetar”, sic pretendon ministry i Puneve te jashtme te Shqiperise, por eshte nje ceshtje e brendshme midis tyre, qe te ndahen administrativisht dhe te jetojne ne paqe si fqinje qe asnjeri nuk mundet me ta deboje tjetrin nga trojet e tyre tashme shekullore. Te gjitha shtetet e Ballkanit aspirojne te hyjne ne Bashkimin Europian, i cili që ne origjinën e tij ka përcaktuar një treg të vetëm ekonomik përgjatë territorit te të gjithë anëtareve të saj. Korigjimi I kufijve administrative midis Kosoves dhe Serbise do te jete hapi i pare i tyre drejt Bashkimit Europian…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje