Pochettino i zhgënjyer me Lloris, 300 mijë paund gjobë dhe shiriti në diskutim

25 Gusht 2018, 11:53Sport TEMA

Maurizio Pochettino është krejtësisht i zhgënjyer, e vështirë se mund t’i vihet faj, duke marrë parasysh situatën.

Arrestimi i Hugo Lloris, teksa i jepte makinës në gjendje të dehur, i shtohet listës së gjatë së problemeve gjatë këtij fillim sezoni. Mes një stadiumi që ende nuk ka përfunduar dhe disa rinovimeve ende të panënshkruara, mes tyre edhe ai i Christian Eriksen, mungonte vetëm portieri titullar e njëkohësisht kapiteni i ekipit të kapej me një sasi të madhe alkooli në gjak 2 ditë para një ndeshjeje shumë të rëndësishme.

Një ndeshje, të cilën Lloris do ta luajë gjithsesi, sepse nuk ka kohë për të eksperimentuar me alternativa të tjera, por mediat angleze bëjnë me dije se trajneri i Tottenham do të marrë masa të rënda.

Mendohet se portierit francez nuk do t’i jepet rroga për 2 javë, që do të thotë 300 mijë paund më pak.

Gjithashtu klubi ishte mjaft i qartë në komunikatën për shtyp të pak ditëve më parë, ku theksoi se Tottenhami i merr shumë seriozisht këto lloj situatash dhe do të ketë penalitete të rënda.

Përveç rrogës, me shumë mundësi Lloris do t’i hiqet dhe shiriti i kapitenit. Trajneri ndihet i tradhtuar, sidomos nga një lojtar që të gjithë e mendonin shumë të përgjegjshëm, njeriu i fundit i cili mund t’i ndodhte kjo gjë.

Një vendim i vështirë, mbase dhe i rrezikshëm, sepse në dhomat e zhveshjes, francezi është mjaft i respektuar nga të gjithë. Nëse shiriti do t’i jepet Harry Kane, që është gjithashtu kapiten i Anglisë, do të jetë e vështirë t’i hiqet më vonë, duke qenë se ai konsiderohet si lider i skuadrës londineze.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje