Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord të krijojnë një “zonë të çmilitarizuar” në provincën Idlib të Sirisë për të ndarë forcat qeveritare nga luftëtarët rebelë që ndodhen atje.
Deklarata është bërë nga presidenti Vladimir Putin pas bisedimeve njëmujore me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Ne jemi përqendruar tek situata në provincën e Idlibit, duke konsideruar praninë e grupeve të mëdha militante dhe infrastrukturën e tyre atje.
Ne kemi rënë dakord të krijojmë një zonë të demilitarizuar midis trupave qeveritare dhe militantëve përpara 15 tetorit. Zona do të jetë 15-20 km e thellë, me tërheqjen e plotë të militantëve të vijës së ashpër prej aty, përfshirë Jabhat Al-Nusra [tani i njohur si Hayat Tahrir al-Sham]”, tha Putin në një konferencë shtypi pas bisedimeve.
Trupat nga Rusia, një aleat i qeverisë së Sirisë dhe Turqia, e cila mbështet rebelët, do të patrullojnë zonën.
OKB kishte paralajmëruar për një katastrofë humanitare nëse ushtria siriane filloi një sulm total për ta rimarrë Idlibin.
Por pas takimit të së hënës midis Putinit dhe Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Soçi, Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se nuk do të ketë një operacion të tillë në rajon.
Provinca Idlib dhe zonat fqinje si Hama dhe Aleppo janë shtëpi për rreth 2.9 milion njerëz, duke përfshirë një milion fëmijë.
Një rritje e mprehtë e armiqësive që nga fillimi i shtatorit dhe frika e përshkallëzimit të mëtejshëm kanë çuar në zhvendosjen e më shumë se 38,500 njerëzve.
Krahina e Idlib është e fundit në Siri e pa rimarrë nga forcat qeveritare të mbështetura nga Rusia dhe Irani. Me fitoren e kësaj krahine, Turqia humbet përfundimisht ndikimin në Sirinë fqinje.(TemA TV)