Revolucioni indian në ligjet për seksin: Tradhtia nuk është më krim

27 Shtator 2018, 20:45Bota TEMA

Tradhtia bashkëshortore nuk është më krim në Indi. Gjykata më e lartë e këtij vendi vendosi që ligji i epokës koloniale është në kundërshtim me Kushtetutën dhe diskriminues ndaj grave.

Juria prej pesë anëtarësh në Gjykatën Supreme vendosi në mënyrë unanime se kategorizimi si shkelje e ligjit i angazhimit në marrëdhënie intime me një grua të martuar, pa lejen e burrit të saj, është arkaik dhe diskriminues për gjininë femërore.

Gjykata e cilësoi arbitrar një ligj të tillë, i cili parashikonte dënime deri në pesë vjet burg.

“Është koha t’u thuhet bashkëshortëve se nuk janë padronë. Nënshtrimi me ligj i njërit seks nga tjetri është gabim që në thelb”, tha kreu i gjykatës, Dipak Misra.

Nuk ka të dhëna të sakta se sa meshkuj ose femra mund të jenë dënuar gjatë kohës kur ky ligj është zbatuar, por ai është përdorur shpesh si argument në proceset e divorcit.

Edhe grupet feministe e kanë mbështetur këtë vendim. Ato thonë se ligji për tradhtinë bashkëshortore duhet të jetë njësoj për të dy gjinitë, pasi mund të shërbejë si barrierë për meshkujt që braktisin familjet, në një shoqëri ku gratë kanë pak fuqi, sidomos nëse flitet për zonat e thella patriarkale.

Avokatët në qeverinë qendrore e kanë kundërshtuar heqjen e ligjit për shkeljen e kurorës, duke argumentuar se zbutja e sanksioneve ndaj tradhtisë bashkëshortore “do të rezultonte në dobësimin e lidhjeve martesore”. Ligji u ka mbijetuar tre sfidave të mëparshme ligjore, më e fundit në vitin 1988.

Gjyqi i Lartë në Delhi aktualisht është duke e parë nën të njëjtën dritë një ligj tjetër, i cili përjashton nga kategoria e sulmit seksual, raportet pa dëshirë, në të cilat agresori dhe viktima janë burrë e grua. Qeveria, si dhe disa grupe të të drejtave të burrave, kanë paraqitur kërkesa për heqjen e martesës nga kjo kategori.

“Të dy ligjet bazohen në doktrinën sipas të cilës burri e zotëron gruan e tij, gruaja që është pronë”, thotë Karuna Nundy, avokate në Gjykatën e Lartë, e cila ngriti çështjen e përdhunimit martesor. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje