E mbani mend prezantimin e Esat Malës më 27 dhjetor të vitit 2017? Pak kush e mban mend.
Mesfushori u afrua pas Telushit dhe me një repart të tejmbushur me emra u etiketua direkt si lojtar me mik.
Prej atyre që nuk do të shihnin fushën e blertë, por thjesht ishte një sponsorizim i babait me lekë.
U mendua, u tha me të bërtitur, iu tha dhe në sy.
Të ishte ndonjë fizik i madh njerëzit mund të kishin dhe frikë, por nisur nga konstrukti i tij i imët dhe i shkurtër nuk druheshin.
Për të fusha e lojës do të shihej me dylbi, prandaj fajtorë ishin drejtuesit që i dhanë shansin të vishte fanellën e Partizanit dhe të mbushte radhët.
Aventura e tij me ekipin kryeqytetas nuk nisi me një tapet të kuq, por me një paragjykim amator.
Për të gjithë ata që donin titullin me patjetër, ishte një kalama që nuk mund të bënte diferencën. Mala ishte një “jo” e madhe.
Prezantimi i Malës te Partizani
Në fakt, gjykimi im nuk ishte i ndryshëm, pavarësisht se njohja me të riun ishte shumë më herët se të prezantohej te “demat”. Në një darkë mes miqsh më qëlloi rasti të qëndroja me kosovarin rreth tetorit.
Asokohe ishte akoma më i brishtë, më i ndrojtur dhe luante për Ballkanin. Stërvitej me ekipin e dytë të Partizanit dhe synonte që të nënshkruante në janar me “demat”.
Sapo i ishte bashkuar skuadrës së dytë të kryeqytetasve nga Shkëndija e Tiranës dhe ende nuk kishte debutuar për shkak të problemeve me letrat. Kishte besim. “Shpresoj të nënshkruaj sa më parë. Nuk më duket ndonjë nivel i lartë dhe i papërballueshëm”. Kalonte sytë në telefon dhe më pas shihte ndonjë femër që kalonte… I njomë, por i bindur në atë që donte. Kur po largoheshim nga darka, më pa në sy dhe më tha: “Mbase nuk beson, por do të më shohësh kur të jem titullar në ekipin e parë”. Kishte të drejtë, nuk e besoja. Nënqesha dhe i urova fat me dëshirën e mirë për ta patur gabim.
Firma në kontratë dhe prezantimi nuk vonoi. Një ndeshje prej atyre që nuk ke çfarë mban mend, pasi Partizani po humbiste 1-2 kundër Kukësit më 19 shkurt 2018 dhe tekniku Starova e fut në minutën e 85′ për të zëvendësuar Ramadanin. 5 minuta, Partizani pësoi dhe një tjetër gol. Megjithatë, me kalimin e ndeshjeve, pati fatin me vete.
Dëmtimi i Bruno Telushit i dha mundësinë që të luante si titullar dhe bëri mjaft mirë. Arriti të linte gjurmë. Në sezonin e tij të parë luajti 18 ndeshje, nga të cilat 13 si titullarë. Shifra impresionuese.
Drejtuesit e kuq nisën të besonin tek ai dhe të shihnin një tjetër xhevahir. Drejtori sportiv, Antonello Preiti, nisi dhe sponsorizimin e tij për një 18-vjeçar që kërkohej nga ekipe me emër si Stuttgart-it, e ndonjë skuadër italiane, por dhe vetë Mala e dinte se shkrimet te “calciomercato.com” ishin një mënyrë që italiani të justifikonte se po bënte diçka për të fituar një kontratë të re pas një viti katastrofik. Sezoni u mbyll me një surprizë të bukur për të, pasi nga një “jo” e madhe u kthye në “ndoshta”. Shumë herët për të gjykuar më shumë, pasi luajti vetëm gjysmë sezoni dhe kishte nevojë për përmirësime.
Loja e tij sezonin e kaluar ishte më shumë horizontale dhe me shumë pak depërtime drejt zonës. Këtë sezon, mesfushori vjen me një status tjetër. Titullar absolut, besim në vete dhe më shumë liri.
Djaloshi i brishtë nga Kosova u kthye në idhull për tifozerinë e kuqe që nga thjeshtësia e tij e deri te kontributi në fushën e lojës.
Goli në derbi me vlerën e 3 pikëve e kthen në “engjëll” në sytë e tifozëve që nuk do e harrojnë asnjëherë, megjithatë ata të gjithë janë në një mendje, Mala është një “po” e madhe dhe shpresojnë ta shohin me një fanellë tjetër, në kërkim të ëndrrës europiane.
Nëse është një fanellë e kuqe aq më mirë… 19-vjeçari është një bast i fituar, e të mendosh se nuk kishte vend për të në kombëtaren e Shpresave, të paktën kemi me çfarë qeshim me lot! (Telesport)