Prapaskena: Zidane kishte kërkuar më herët largimin nga Reali

29 Shtator 2018, 14:28Sport TEMA

Zinedine Zidane do ta shohë sot derbin mes Atleticos dhe ish-ekipit të tij, Real Madrid si një tifoz.

Pas pushimeve që kaloi këtë javë në Londër me bashkëshortën e tij, tekniku francez është rikthyer në kryeqytetin spanjoll.

Ndërsa situata te Manchester United vazhdon të jetë e komplikuar, ai nuk nxitohet dhe po shfrytëzon kohën e lirë për të shijuar derbin në Madrid.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, Zidane kishte vendosur që të largohej nga Bernabeu që pas humbjes me Leganes.

Mirëpo, presidenti Florentino Perez dhe Jose Angel Sanchez gjatë muajit shkurt, e bindën që të qëndronte më tej, duke i dhënë besimin që i duhej.

Dyshja drejtuese e klubit madrilen, arriti ta kthejë në pankinë Zizu-në, i cili ia doli që t’i japë Champions League-n në finalen e Kievit. Mirëpo, aventura e tij zgjati vetëm deri në fund të majit, pasi ndihej i lodhur dhe kërkoi zyrtarisht të largohej.

Francezi e argumentoi më pas largimin e tij, në të mirë të Realit dhe lojtarëve. Pasi e mbylli rrugëtimin me “Los Blancos”, ai vendosi të relaksohet me familjen ndërsa drejtimin e galaktikëve e mori ish-trajneri i kombëtares spanjolle, Julen Lopetegui.

Ky i fundit do të tentojë sot të fitojë përballjen e dytë me Atletico Madrid, këtë herë në kampionat.

Tekniku spanjoll e nisi aventurën me Realin me humbje, pasi u mund pikërisht nga rivalët e Atleticos në finalen e Super Kupës së Evropës.

Prania e Zidanes në tribunë mbase do t’i sjellë fat lojtarëve në përballjen ndaj djemve të Simeones, të cilët tashmë duket se ia kanë marrë dorën fitores me Realin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje