Roma mundi 3-1 Lazion duke dalë triumfuese në derbin e qytetit duke iu afruar dhe më shumë zonës së Champions League. Për Lazion një humbje e hidhur që vjen pas një serie prej katër fitoresht rresht në Serie A.
Të dy skuadrat krijuan disa raste për të shënuar në pjesën e parë, me Olsen dhe Strakoshën protagonistë me pritje vendimtare për t’i mohuar golin kundërshtarit. Portieri shqiptar u tregua fantastik duke bllokuar gjuajtjen e Pastores nga brenda zonës në minutën e 24’, pasi argjentinasi kishte dribluar dy mbrojtës të Lazios.
Por edhe portieri i Romës iu përgjigj thirrjes së kolegut duke bllokuar fillimisht pritjen e Marusic e më pas të Ciro Immobiles.
Në fund të pjesës së parë Roma gjeti golin e avantazhit, pas një kombinimi të bukur në zonë që gjen të lirë Pellegrinin, i cili mposht Strakoshën me një goditje me takë.
Lazio do të barazonte në mesin e pjesës së dytë kur Fazio i fali një top Immobiles dhe sulmuesi italian u tregua i zgjuar të përfitonte nga mundësia e krijuar për të dërguar topin në rrjetë.
Por kur të gjithë menduan se derbi do të mbyllej në barazim Alexander Kolarvo riktheu Romën në epërsi me një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë perfektë në hyrje të zonës në të 71’. Çerek ore më vonë mbrojtësi serb, ish i Lazios, provoi përsëri me goditje dënimi por këtë herë Strakosha nuk e la të shënonte.
Por nuk do të kishte të njëjtin fat portieri shqiptar në të 86’ kur Pellegrini dha një krosim tepër të saktë në zonë për Fazion dhe mbrojtësi kërceu mbi të gjithë për të shënuar golin e tretë dhe të triumfit final për Romën.