Kombëtarja, Xhakomo Vrioni: Jam shumë i lumtur, nuk e prisja ftesën nga Panucci

3 Tetor 2018, 14:40Sport TEMA

“Jam shumë i lumtur dhe emocionuar për ftesën e kombëtares së parë të Shqipërisë. Po e pres me padurim aventurën e re. Të them të drejtën nuk e prisja thirrjen nga Christian Panucci pas vetëm një ndeshje me U-21. Jam shumë i gëzuar dhe do të japë maksimumin për ekipin”.

Këto janë fjalët e para të Xhakomo Vrionit, i cili foli ekskluzivisht për Telesport, pasi mësoi se do të ishte pjesë e ekipit kombëtar për ndeshjen kundër Jordanisë dhe Izraelit. Por si nisi historia e Xhakomo Vrionit në kipin kuqezi.

Historia nisi në atë ndeshje miqësore mes Italisë U-21 dhe Shqipërisë U-21, e luajtur pak javë më parë.

Pavarsisht humbjes së ekipit të drejtuar nga Alban Bushi, të gjithë u gëzuan, të paktën në Shqipëri, pasi një talent u zbulua. Quhet Xhakomo Vrioni, i lindur dhe rritur në Itali, produkt i akademisë së Sampdorias dhe ekipeve zinxhir të kombëtares italiane.

Djaloshi, që luan në qendër të sulmit, ka provuar të luajë për të gjitha ekipet zinxhir të kombëtares së shtetit fqinj duke e mbyllur pikërisht me ekipin U-19, pasi një muaj më parë vendosi të hiqte fanellën e kaltër të Italisë dhe të vishte atë kuqezi, të vendit të tij të gjakut e zemrës, Shqipërisë.

Goli i shënuar ndaj ish-shokëve të  tij italian, në ndeshjen miqësore të tre javëve më parë, krijoi simpati të menjëhreshme në Shqipëri për Xhakomo Vrionin. Shkathtësi, lëvizje teknike spektakolare, shpejtësi në aksione si dhe një nuhatje natyrale për golin, bën që Xhakomo Vrioni të bëj një kapërcim të madh. I mjaftoi vetëm ajo ndeshje me U-21 e Alban Bushit, që Christian Panucci të bëj gati ftesën për talentin, që tashmë do të grumbullohet edhe me ekipin e parë të kombëtares.

Kjo është ndoshta ëndërra më e bukur që po përjeton Xhakomo Vrioni, djaloshi që aktivizohet me Venezian, por që tashmë do të luajë edhe për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Xhakomo u grumbullua nga Alban Bushi për dy ndeshjet e shtatorit, pikërisht për sfidën zyrtare ndaj Spanjës dhe miqësoren me Italinë.

Të parën e ndoqi nga tribuna pasi ende nuk kishte marrë pasaportën shqiptare, ndërsa të dytën luajti dhe shënoi një gol, edhe pse një takim miqësor, mjaftoi që Vrioni të fitonte kombëtaren e Shqipërisë, dhe kjo e fundit të fitonte talentin e së ardhmes në majën e sulmit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje