Kombëtarja shqiptare e futbollit rikthehet në javën e dytë të tetorit, ku do të përballet në miqësore me Jordaninë në “Elbasan Arena” dhe më pas do të sfidojë Izraelin.
Trajneri Christian Panucci ka bërë publike listën për këto dy ndeshje, ndërsa si gjithmonë ka surpriza.
Këtë herë italiani ka ftuar në ekip Kastriot Dermakun, i cili ka qenë më parë pjesë e Kosovës në ndeshjen që ata zhvilluan kundër Ishujt Faroe.
Gjithsesi futbollisti nuk u aktivizua me ata pasi një ditë para ndeshjes u largua nga grumbullimi.
Largimin e tij te Kosova e argumentuan me faktin se lojtari kishte problem personal, por si duket në mes ka qenë Shqipëria.
Pikërisht rreth këtij grumbullimi mediat italiane kanë zbuluar disa prapaskena se si Christian Panucci arriti të bindë futbollistin që aktivizohet me Cosenzan.
Italiani udhëtoi për të ndjekur nga afër mbrojtësin, në ndeshjen që Cosezna po luante ndaj Cremonese.
Paraqitja e Dermakut gjatë asaj ndeshje e ka bindur trajnerin që ta grumbullojë për dy takimet e ardhshme.
Vendimi i Dermakut për të zgjedhur Shqipërinë, ka shkaktuar habi dhe zemërim në ambientin e Kosovës.