Flamurtari-Tirana do të jetë sfida mbyllëse e javës së 9-të që mbyll dhe fazën e parë të Kategorisë Superiore.
Një takim ku objektivi i të dyja skuadrave do të jetë marrja e tre pikëve për të dal nga ngërcci i rezultateve negative që kanë marrë në javët e kaluara.
Në konferencën për shtyp, trajneri i Flamurtarit Ilir Daja u shpreh se do të jetë një takim i luftuar, por kuqezinjtë do të dalin të fituar.
“Gjithmonë ndeshjet mes Flamurtarit dhe Tiranës kanë qenë të vështira të interpretohen në fushë, kështu që edhe nesër kështu do të jetë për të dyja skuadrat.
Flamurtari dhe Tirana kanë cilësi brenda, por kanë pasur edhe oshilacione në fushë në këto javë.
Do të jetë një ndeshje e luftuar, ku mendoj se do të vendosin episodet. Ekipi që do të ketë më shumë qëndrueshmëri mentale në këtë ndeshje, do ta fitojë atë. Na duhet të marrim rezultat pozitiv për të qenë sa më afër objektivave tona të sezonit”, u shpreh Daja.
Ndërkohë, nga krahu tjetër tek Tirana trajneri Ardian Mema do të synojë që të debutojë me fitoren në stolin e bardhebluve.
Ky do të jetë dhe një takim special për Memën i cili para se të merrte drejtimin e Tiranës pas largimit të Ze Marias, ishte zv.trajneri i vlonjatëve.
“Fakti që unë kam qënë atje është shenjë pozitive për mua sepse i di pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit.
Megjithatë ai si çdo kundërshtar duhet vlerësuar maksimalisht në të kundërt do të kemi problemet e kaluara.
Pas bisedave me lojtarët, kam kërkuar të jenë të përqëndruar pasi kundërshtarët këto janë dhe niveli është aty aty.
Kush do të jetë më i përqëndruar dhe kush do të luftojë fort në dy fazat e lojës, mendoj që ai e fiton takimin. Nuk mund të them dot nëse do fitojë Tirana apo Flamurtari”, u shpreh Mema.
Takimi Flamurtari-Partizani luhet të hënën (nesër) në orën 18:00. (TemA)